Prangat në duart e Hashim Thaçit

Prangat në duart e Hashim Thaçit

Nga Syri.net Kosova - 10/11/2020

Në ditën më të rëndë për Hashim Thaçin, rrjeti vloi, studiot shpërthyen, por as dy vetë nuk u bënë bashkë, së paku për një protestë simbolike në Prishtinë. Lajmi në fakt ishte ky. As shokët e luftës nuk u mblodhën në shesh. Ata që plumbat e armikut nuk ua ndalën dot hovin, një virus nuk mund t’i stepte kështu. Megjithatë, edhe bashkëluftëtarët e dinë se nuk është punë pandemie.

A po gjykohet UÇK-ja apo individët? Apo një ‘ndërmarrje kriminale’?

Në organizata të ndryshme, ndodh që grupet të rrëshqasin në hendekun e krimit. Pa dyshim, kjo e dëmton organizatën, por nuk e bën atë përgjegjëse. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e ka siguruar vendin e saj në histori me sakrificat, të rënët, aksionet, betejat, luftën. Në hierarki, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e ndonjë tjetër që pritet t’u bashkëngjiten, përfaqësojnë nivelet më të larta drejtuese dhe duhet të ballafaqohen me aktakuzat e ngritura, pa patetizëm, por me prova dhe fakte, me argumente dhe të vërteta.

Nuk çon peshë nëse Biden e ka quajtur një herë Hashim Thaçin, Xhorxh Uashingtonin e Kosovës. Edhe amerikanët jo rrallë i kanë glorifikuar figura të caktuara, që janë rrëzuar më pas turpshëm nga pushteti.  Aktakuzat bëjnë fjalë për rreth 100 vrasje. Më rëndë , zor se mund të jetë.

Viktimat janë kryesisht shqiptarë, përfshirë edhe anëtarë të LDK-së. Kjo e fundit, e ka futur kokën në zall si struci e nuk di çfarë të thotë.

Deri dikund arsyetohen përpjekjet e mbështetësve të Thaçit&Co që ta paraqesin veprimin e Speciales, si luftë të Serbisë e Rusisë për denigrimin e UÇK-së e Republikës së Kosovës. Por, mos të ikim fort nga tema. Ramush Haradinaj e Fatmir Limajn, në procese gjyqësore në Tribunalin e Hagës fituan pafajësinë e u kthyen si heronj të luftës së drejtë për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Është histori tjetër shpërdorimi e abuzimi në emrin e UÇK-së, si rrjedhojë e të cilit, sot as dy vetë nuk bëhen bashkë që të shprehin revoltë e keqardhje.

Dhomat e Posaçme, janë miratuar nga parlamenti i Kosovës. Presion ka pasur, por deputetët kanë mundur edhe ta refuzojnë. Hashim Thaçi është faktori kryesor që ka ndikuar në themelimin e Speciales, që sot ia ka vënë prangat. Është e qartë se ai nuk ishte i vetëdijshëm për pasojat e raportit të Dik Martit, që na solli deri në këtë pikë.

Ish-presidenti për pak sa nuk e ndau Kosovën, për të shpëtuar lëkurën e tij nga Specialja dhe këtë fakt nuk duhet ta harrojmë asnjëherë.  Siç nuk bën ta injorojmë secilin veprim të dyshimtë përfshirë edhe faljen abuzive së fundmi të dy të dënuarve për vrasje, një ditë para dorëheqjes apo favorizimet në emërime të personave që janë përmendur si dëshmitarë potencialë kundër ish-drejtorit politik të UÇK-së.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mundësi të volitshme u krijuan për vendin, por Thaçi&Co, mbërritën në delirin e pushtetit  duke shkelur me shpejtësi mbi idealet për të cilat dikur luftuan.

Kaq keq e katandisën emrin UÇK, saqë erdhi dita që luftën ta mbrojë Baton Haxhiu, me historitë e padëgjuara e të pabesueshme për hedhjen nga aeroplani të Kadri Veselit e gjithfarë rrëfimesh, për të cilat po e ulin kokën edhe vetë protagonistët.

Serbia e humbi Kosovën në vitin 1999, por njerëzit e saj ishin gjithnjë hap pas hapi afër ish-komandantëve që u bënë politikanë të fuqishëm. Me këshillat e sugjerimet e tyre, u rehabilituan bashkëpunëtorët e Milosheviqit, ndërsa në bankën e të akuzuarve përfunduan njerëzit e UÇK-së. Ky ishte rezultati dëshpërues i dialogut të drejtuar nga Hashim Thaçi.

Ka qenë një parullë para disa viteve- Drejtësi për çlirimtarët! Drejtësi duhet të ketë edhe për viktimat, sepse çlirimtarët luftuan që të ketë drejtësi për të gjithë.

Specialja është një realitet i hidhur, për një kapitull që asnjëherë nuk u mbyll. Ka vetëm një mënyrë, që Kosova të dalë faqebardhë në këtë përballje. Një qeverisje e denjë, që e kthen vëmendjen te sundimi i ligjit dhe zhvillimi.

Zgjedhjet janë zgjidhja. Mungesa e një marrëveshjeje mes liderëve, para shkuarjes në Hagë të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, paralajmëron dështim në zgjedhjen e presidentit të ri, që e çon vendin drejt kutive të votimit.

Vetëm tërheqja e Ramush Haradinajt, mund t’ia zgjasë jetën qeverisë Hoti, por një gjë e tillë, do t’ia shuante përfundimisht ëndrrën presidenciale liderit të AAK-së. Pak e besueshme, për një politikan si ai, që t’ia mbyllë rrugët vetes.

Thaçi e di mirë këtë, prandaj e mbajti me zor PDK-në në pushtet deri para një viti, kur e bëri Haradinajn kryeministër. Ish-presidenti, e dëshmoi edhe gjatë pandemisë, se nuk e kishte ndërmend t’ia hiqte prangat popullit të Kosovës. E rrëzoi një qeveri, për ta krijuar një të komanduar që t’i shërbente, por i dështoi plani. Specialja ia ndali udhëtimin.

Për t’ia vënë prangat më pas.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco