Stekë e ultë për pozita shtetërore

Stekë e ultë për pozita shtetërore

Nga Jakup Krasniqi - 26/10/2020

Në vitin 1997, pas trazirave në Shqipëri, kur diplomatët patën marrë urdhrin që të largoheshin për shkakun se qeni nuk e njihte të zonë, një gazetar amerikan nga aeroplani i shkruante një gazete prestixhioze amerikane: “Vështirë është në këtë vend, ku edhe shërbëtorja thotë: të isha në vend të Salës!" Salua, Sali Berisha pra, ç'është e vërteta qe dhe nuk qe president.

Edhe ne në Kosovë, njëzet e tri vjet më pas, diku aty jemi!
Përse?

Sepse steka për pozita të larta shtetërore ka rënë goxha poshtë. Secili qytetar është potencialisht kandidat për t’u bërë kryetar a kryeministër, deputet a ministër. Sa për zëvëministra të vjen vera më shpesh tek dera. Bota duhet të mësojë nga ne! Të huazojnë ndojnë president a kryeministër, përse jo?!

Në një situatë të tillë, sikur të ishte ndonjë ambasador si Delli i dikurshëm, a thua do ta propozonte ndonjë police apo ndonjë buzëfryrë. Po nuk rastisi buzëfryrë,  botoksi! Po Delli nuk është, e mediokrit a mediokret mund t’i pretendojnë postet e larta shtetërore, madje edhe pozitën e të parit të shtetit! Eh! 

Pse të mos i vjen radha ndonjë bariu, i cili të gjitha deleve të grigjës ua njeh qengjat. Dhe kjo nuk është pak! Nuk mund t'i thuash mediokër! Ndaj, një i tillë, me kujtesë të kthjellët përse të mos bëhet president? Të ushtrojë artin e bisedimeve, të lëshojë pe në reciprocitet. Sa dele ti, aq dele unë. Sa qengja ti, aq qengja unë! 

Sa keq që nuk mund ta kemi një me dell të tillë! Dell thashë, jo ambasdori Dell!
Me ç'po shihet, ne duam diçka si as dele as dash, as mish as peshk, as mish as kockë.
Ec e bjeri në fije!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco