‘La Casa de Papel’, versioni i Kosovës

‘La Casa de Papel’, versioni i Kosovës

Nga Syri.net Kosova - 22/10/2020

Grabitje si ajo e dy milionëshit që u zbardh tani, mund të kenë ndodhur edhe në të kaluarën. Thesari i Shtetit ka një varg procedurash rigoroze për lejimin e pagesave dhe realizimin e transfereve, megjithatë nuk ka arritur ta parandalojë këtë krim financiar.

Skema e vjedhjes duket mjaft e organizuar që nga Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës,  banka private, së cilës nuk po i del emri ende në publik, Banka Qëndrore që mbikëqyr sistemin bankar.

Ky zinxhir hajdutësh, që me kaq lehtësi kanë transferuar jashtë Kosovës mbi dy milionë euro, nuk janë amatorë dhe pa mbështetje.

Lidhjet politike dhe familjare me njerëz të qeverisë, mund të duken të rastësishme, por askush nuk beson se vërtet është kështu.

A mund të jetë kjo grabitje maja e një ajsbergu hajnish të mëparshme, të pazbuluara deri tani? Autoritetet përkatëse mbetet ta japin një përgjigjje, edhe pse besueshmëria te policia, prokuroria e gjyqësia, kurrë më e vogël nuk ka qenë.

Aferat në Kosovë nuk janë gjë  e re. Në ambientet policore janë vjedhur sasi të mëdha droge dhe ari. Askush nuk është ballafaquar me drejtësinë për këto skandale.

Në dy dekada qeverisje, korrupsioni ka lulëzuar dhe buxheti i shtetit e ka pësuar. Nuk ka mbetur dikaster, pa u prekur nga zhvatja. Skandali me vjedhjen e e Thesarit, është i frikshëm. Ja ku e solli Kosovën, degradimi shtetëror, punësimet pa kriter, papërgjegjësia në administratë.

Ministrja e Financave mund të jetë e pafajshme dhe me siguri që nuk ka gisht në këtë grabitje, por megjithatë mban përgjegjësi. Nën hundën e saj transferohen paligjshëm dy milionë euro në një kompani private. Ajo dhe kryeministri duhet të jenë në dijeni për çdo cent të shpenzuar e lërë më për transferet milionëshe.

‘Skeni parë gjë akoma’. Kështu u shpreh Avdullah Hoti dhe befasitë nuk kanë të sosur. Pas vjedhjes së thesarit, u grabit edhe kasaforta e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. Kush e ka radhën tani...

Publika dhe shtetërorja në këtë vend, shpërdorohen sistematikisht nga ata që janë të zgjedhur e të emëruar për ta mbrojtur interesin publik dhe shtetëror.

Ministrja tha se ky është një krim kibernetik e menjëherë mendja të shkon te Koordinatori Nacional për këto punë.

O temporal, o mores!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco