Lamtumirë Dan

Lamtumirë Dan

Nga Halil Matoshi - 22/10/2020

Iku kritiku dhe esteti fenomenologjik Heideggerian, Ramadan Musliu
Covid19.-

Monstrumi i dalun nga honet e terratisuna, shkaktue na kâ sot edhe ni zi, tue marrë simas rregullit të fundbotshëm poetin e kritikun e letrave, gazetarin e mikun Ramadan Musliu.

Ndër lavruesit ma t’spikatun të gazetarisë kritike kulturore, në gazetën ikonike “Rilindja”, Dan Musliu nuk ja duel në përballje me Covid19, tue marrë frymë për t’mramën herë në Spitalin skej qytetit të Prishtinës, pa ague dita e êjte, e 22 tetorit.

Parandjenja.-
Në fund të vuajtjes sime
ishte dera.
Më dëgjo: Më kujtohet
ajo që ti e quan vdekje.
Mbi kokë zhurma. Dega e bredhit tundej
Pastaj asgjë.
(...)

Pikërisht me 8 të tetor, Dan Musliu e ka publiku në faqen e tina të Facebok-ut ni tubë me vjersha t’përkthyeme të autores amerikane Louise GLÜCK, (1943), nga ShBA – fituese e Çmimit Nobel për letërsi, 2020 dhe në poezinë “Trishtimi i Kirkës”, shoh nji parandjenjë, një farë kodi të ni dere!?
Që paralajmëron mundësinë e daljës matanë gërditjes, në estetikën e dritës që përbirohet në plasat e derës!?
Chronoss-i.-
* I lemë n’Beguncë të Vitisë më 1954.

Gazetar dhe poet. Kritik mendjehollë, të cilin kur e kish pas lexu Ismail Kadare, tek shkruente për nji nga veprat e tij, autori i shquem kish pas thânë “n’Shqipëri nuk shkruhet kështu!?”. (Simas rrfimeve të kolegut e vendasit të Danit, Sami Piraj.) Ishte nji aluzion për interpretimin ideologjik të artit në Shqipni, ku ka sunue gjatë doktrina socrealiste.
* Më 1988 e ka shkru për “Rilindja” e të shtunës, esenë (kritike) për librin tém t’parë poetik “Frymë varresh në dallgore”, me titull “Përafrimi i mitin me aktualitetin”, që ishte shkrimi i parë serioz për poezinë time.

Në ni farë mënyre, inkurajim e referencë, spari derë e hapun për me hy në botën e letrave shqipe.
* Me 2016 me propozim të atëherë Ministër Kulture Dr. Kujtim Shala dhe këshiltarit të tij Vehbi Miftari, ishim dytë anëtar të bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. I ditun, konciz, i urtë që fjalët i kishte më kèt’, Dani ishte nji kundërshtar i thekun dogmës komuniste. Rrugën nga Theatri Kombëtar deri tek sheshi i Zahirit zakonisht e bânim bashk, flisnim edhe për letërsinë po edhe politikën. Anonte nga fenomenologjia Heideggeriane në diskursin kritik dhe estetik.

* Tue e kujtue Ragip Sylajn në Therandë, më 19 të Teorit, poetesha Naime Beqiraj më foli për lëngatën që ia kish zapue frymën Danit, por e menova t’fortë, që ka me e kapërcye këtë vrasës t’pa dokshëm e misterioz...
Coda.-

Ai hyni qetë e pa bujë në letrat shqipe ashtu, në vitet ‘89 të shekullit të kaluem, siç doli nga skena jetësore pa rrapullimë, beftë...

Në ditën e sotshme, 22 tetor, 2020.

Lamtumirë Dan.

Pusho i qetë më paqen e pasosun, koleg e mik!
Chronos-i t’vetmin lajm të vërtetë e sjell Thanatos-in.
Të tjerat janë veç se lojë, këndej.
T’fala andej, Isufit, Antonit, Brahimit, Beqës e Musës...

U thuej që rrallë e për mallë na bien në menje, vetëm kur shohim përreth shkreti dhe injorancë!?
- The End-
P.S.
Autor i pesë librave me poezi:
* 1981 "Parodia e trupiut", Prishtinë;
* 1985 "Shqisa e gjashtë", Prishtinë;
* 1987 "Pasqyra e të rrëfyerit", Prishtinë,
* 1996 "Kënga e sibilave", Tiranë,
* 2004 "Në zemrën e gjërave", Prishtinë
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco