Garancitë...

Garancitë...

Nga Flaka Surroi - 18/10/2020

Deri dje personaliteti i javës qe Aro Muriq - me një mbrojtje fenomenale të një penalltie që iu fal grekëve në Athinë. Me disa intervenime shumë të mira e mbajti portën e pamposhtur, duke e nxjerrë një pikë të madhe për Kosovën.

Porse, politika nuk na e la ta shijojmë këtë kënaqësi gjatë. Deri në fund të javës, personalitetet ndryshuan dhe madje u shtuan.

E gjitha nisi me një deklaratë të pakuptimtë të Avdullah Hotit: “Ne i kemi të gjitha garancitë dhe mbështetjen e partnerëve tanë që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive...". Pyetja ishte pse të nevojiten garanci për një vendim sovran?

Atë që e tha Hoti, e "sqaroi" Isa Mustafa kur e publikoi një letër që e kishte marrë nga Mogherini para pesë vjetësh. Në të tekstualisht thuhej: “Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacionit, dua të konfirmoj se BE-ja kupton (mendon/kujton, v.p.) se Asociacioni - në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës - nuk e konstituon nivelin e tretë të qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive".

Vijoi lëmshi me deklaratat e Lajçakut në Beograd dhe përfundoi me tri shkarkime rrufe që i bëri kryeministri, me ta hequr drejtorin e Policisë, shefin e Doganave dhe atë Administratës Tatimore, në ditën ku thuajse asnjë ligj nuk mundi të kalonte në Kuvendin e Kosovës.

Çka flasin këta burra?

Ky dialog i përshpejtuar i muajve të fundit, ngadalë do të na mbështesë për muri, duke e pasur parasysh mungesën absolute të transparencës që e përcjell këtë proces. Që nga çasti kur Thaçi u detyrua të hapte rrugë për shkak të aktakuzës, e cila ka edhe një javë për t'u konfirmuar ose jo, Hoti, nëpërmjet Skënder Hysenit, erdhi te pika e rihapjes së çështjes së Zajednicës. E me të edhe të obligimeve që i ka marrë, marrëzisht, Kosova me veprimet e veta injorante (apo ndoshta të qëllimshme?) politike.

Jemi lodhur së përsërituri se Zajednica, e nënshkruar më 2013-n nga Thaçi, ishte themelimi i autonomisë politike për serbët në Kosovë. Krejt do të kishte mbetur në edhe një copë letër pa asnjë rëndësi, po të mos ishte ratifikuar kjo "marrëveshje historike" nga Kuvendi, me ç'gjë Kosova ia ka futur vetes therën në këmbë ama bash pa asnjë nevojë.

Do të kujtojmë se në atë seancë (27 qershor 2013), pro kalimit të kësaj marrëveshjeje votuan 84 deputetë, 3 kundër dhe 1 abstenim. Ishin kryesisht nga të gjitha partitë politike, pos Vetëvendosjes, deputetët e së cilës u nxorën zvarrë nga sigurimi i Kuvendit. Gjithashtu mbaj mend se kundër ratifikimit kishte qenë edhe Vjosa Osmani.

Duhet rikujtuar se kjo ishte përpjekja e dytë e Thaçit për ta kaluar këtë ratifikim, duke i bindur a "bindur" deputetët që ta votonin marrëveshjen me të cilën mëtonte të hynte në histori. Pa dyshim ashtu do të jetë, dhe do të hyjë në atë pjesën e errët të historisë bashkëkohore të Kosovës.

Pas dy vjetësh, në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, qëndroi prapa Isa Mustafës teksa ky e nënshkroi marrëveshjen e 2015-s. Këtë Kushtetuesja e cilësoi si derivat të marrëveshjes së parë, dhe që për pasojë nuk kishte nevojë të ratifikohej. Pas presionit shumë të madh publik, Kushtetuesja e shpalli thuajse krejtësisht antikushtetuese marrëveshjen e dytë, por jo edhe të parën.

Dhe e la punën llom - sepse për t'u zbatuar kështu siç e ka nënshkruar Thaçi, duhet ndryshuar Kushtetutën dhe formalizuar rrafshin e tretë të pushtetit.

Pas pesë vjetësh po e kuptojmë se Mustafa paskësh qenë i informuar për atë që do ta nënshkruante, dhe kishte kërkuar "garanci" nga Mogherini. Kjo, edhe nuk ka përtuar, e ka përdorur letër memorandumin e zyrës së saj, dhe e ka shkruar këtë që u citua më lart. Kjo i paskësh mjaftuar Mustafës ta kuptonte këtë si garanci.

Isa Mustafa si kryeministër i një shteti sovran e të pavarur nënshkroi marrëveshje me një shtet tjetër, ku e kishte specifikuar në detaje formën se si do të krijohej rrafshi i tretë i pushtetit në Kosovë, ndërkohë që kërkoi një garanci prej dikujt që nuk e kishte as fuqinë politike e as bazën juridike për ta dhënë një garanci të tillë. Sepse Mogherini nuk ka qenë as Komisioni Evropian e as Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Nuk e di nëse Mustafa ka pasur ndonjë këshilltar juridik me vete kur i ka qitë nënshkrimet edhe për Zajednicën, edhe për demarkacionin me Malin e Zi. Nëse ka pasur, shumë keq për ata që e këshilluan, nëse nuk ka pasur, sërish shumë keq që nuk e këshilluan që të mos nënshkruante, sepse do ta linte Kosovën në lloç. Siç edhe ndodhi.

Lajçaku me të veten

Lajçaku i kaloi tri ditë në Prishtinë dhe më pas shkoi në Beograd. Prej atje na çoi selam se nuk do të ketë normalizim raportesh me Serbinë pa u zgjidhur çështja e Zajednicës dhe se "Kushtetuta nuk është Bibël që të mos ndryshonte". Më qartë se kaq nuk ka ku e çon për të treguar se obligimi që e ka marrë Kosova, me mendtë dhe duart e përfaqësuesve të vet injorantë politikë, nënkupton ndryshimin e Kushtetutës, në të cilën, sikurse në ish-Jugosllavi, Statuti bëhet pjesë e saj, pra dokumenti më i lartë për rregullimin e autonomisë serbe tashmë të nënshkruar në një copë letër.

Për Lajçakun është e qartë: për të arritur sukses diplomatik, ky do të ushtrojë presion te këta që tash vendosin dhe na e mbushin kokën me fjalë kot, se si marrëveshja në Bruksel, "më në fund", duhet ta sjellë njohjen reciproke. E njohjen reciproke as që është duke e shqyrtuar Vuçiqi, për shkak se mundet, për shkak se është i fuqishëm politikisht, për shkak se i mban Rusinë e Kinën si alternativë ndaj BE-së. Pra për t'ia bërë qejfin atij, përsëri ne duhet të flijohemi, kësaj radhe me presionin për ta formuar Zajednicën, dhe për ta bosnizuar Kosovën edhe më.

"Pushtetin nuk duhet lëshuar duarsh"

Ky mestitull me gjasë më së miri pasqyron filozofinë e veprimit të kësaj qeverie. Gjatë gjithë pandemisë, Policia ishte institucioni i cili, pas mjekëve, më së shumti u lavdërua për punën profesionale, me orare të zgjatura, pavarësisht se kishte mjaft të prekur me virusin. Para disa javësh ndodhi një aksion spektakolar në Karaçevë, ku u ndërpre një zinxhir kontrabande, bixhozi, droge e çka mos tjetër - dhe të gjithë u lavdëruan me suksesin e aksionit, përderisa përgëzimet i shkuan policisë. Dje një javë, ndodhi edhe një arrestim spektakolar, ai i kryetarit të Komunës së Istogut, nënkryetar i LDK-së - i dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe abuzim të detyrës zyrtare.

Në vend se të dilte e të thoshte se drejtësia është pushtet i ndarë dhe se ekzekutivi e politika nuk do të përziheshin fare në këtë punë, LDK-ja nisi një fushatë akuzash, duke thënë se ky arrestim ishte politik, se prokuroria kishte bërë vepër penale, se Rugovën duhej liruar, etj., etj., dhe rezultati i parë i kësaj fushate qe shkarkimi i drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.

Për të mos e lënë përshtypjen se ky veprim është hakmarrje për arrestimin e nënkryetarit të LDK-së, i shkarkuan rrugës edhe drejtorin e ATK-së e edhe të Doganave. Që të tre për performancë të keqe, e thonë. E në fakt, që të tre njerëz që nuk paskan qenë "të tyre", e që nuk do t'ua lejonin kontrollin e papengesë mbi paratë dhe luftimin e krimit.

Me këto veprime, që vijnë katër muaj pas marrjes së plotë të pushtetit, e zbulojnë tërësisht fytyrën e vërtetë të LDK-së: se krejt fushatën e vjetme e kanë pasur rrenë. Sepse krejt çka kanë premtuar e kanë shkelur më së pari me rrëzimin e qeverisë në emër të amerikanizmit, e më pas me marrjen nën kontroll të të gjithave, duke e ruajtur politizimin e gjithçkaje në Kosovë.

Tash në fakt u zbulua synimi i përnjëmendtë i LDK-së - ruajtja e sistemit të kriminalizuar në të gjitha sferat; ruajtja e korrupsionit, si vlerë e kësaj shoqërie, dhe ruajtja e përkrahjes së ndërsjellë që ia bëjnë LDK-ja e Thaçi njëra-tjetrit: një rrëfim i nisur më 2013-n, i futur në binarë më 2014-n, i fuqizuar më 2016-n dhe që e mbërriti kulmin sivjet, midis pandemie.

Paska pasur shumë garanci në lojë e ne nuk e paskemi ditur. Tash, me gjasë, u qartësuan të gjitha

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco