Politika e sandwichit

Politika e sandwichit

Nga Imer Mushkolaj - 17/10/2020
Edhe njëherë Kosova është vendosur në mes të dy zgjidhjeve të vështira, si në një sandwich. Politika e mbrapshtë e ka sjellë vendin në situatën që të zgjedh ndërmjet, de fakto, ndarjes dhe Asociacionit. Serbia kushtëzon sërish, e nga Kosova priten të tjera kompromise.
Tash sa ditë në rrjetet sociale dhe jo vetëm ka shpërthyer kreativiteti i qytetarëve përkitazi me deklaratën e njërit nga vartësit e kryeministrit Avdullah Hoti i cili, në përpjekje për të portretizuar modestinë e shefit të tij, tha se ai e merr bukën nga shtëpia. Kryesisht sandwich, sipas tij.

Një përpjekje, në vazhdën e të tjerave nga njerëz të LDK’së, për ta paraqitur shefin e qeverisë “normal”, thua se normaliteti nënkupton vetëm zgjedhjen e dikujt se si e ku duhet të hajë.

Ndërkohë, në Kosovë pakgjë është normale dhe funksionon normalisht. Jo vetëm tash, por kështu ka funksionuar edhe në të kaluarën. Lajmi se si para disa vitesh një ari tokë, pronë publike, është shitur vetëm një euro, është tregues i qartë, por jo i vetmi, se si kanë funksionuar dhe vazhdojnë të funksionojnë gjërat në këtë vend.

Në fakt, është pak e rëndësishme se si e çfarë ha kryeministri. Tekefundit, kjo është diçka private dhe është ai që zgjedh si të veprojë. Shumë më e rëndësishme se kjo është nëse kryemnistri, ose cilido tjetër zyrtar publik, e bën punën si duhet, në mënyrë korrekte dhe pa e keqpërdorur pozitën që mban.

E kur përmendet sandwichi, nuk ka produkt më të përshtatëshëm për të përshkruar pozitën e shtetit të Kosovës, përballë zgjidhjeve dhe zgjedhjeve të rëndësishme. Jo vetëm tash.

Vizita e ndërmjetësit të Bashkimit Europian për dialog, Miroslav Lajçak, në Prishtinë e ka bërë të qartë si asnjëherë më parë se çfarë synojnë BE’ja dhe Serbia dhe çfarë duhet pritet të bëjë Kosova. Lajçak nuk foli për marrëveshje finale, as për “njohje reciproke”. Ai foli vetëm për “normalizim”, por nuk shpjegoi se çfarë nënkupton me të.

 

* * *

Ato që i kanë thënë javët dhe muajt e fundit pushtetarët kosovarë, se dialogu do të përfundojë shpejt dhe me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, po del të jetë ndryshe. Miroslav Lajçak e bëri të qartë: Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, po që se dëshiron normalizim marrëdhëniesh me Serbinë. Pra, ai nuk e përmendi “njohjen reciproke”, as “marrëveshjen finale”, por u mor më shumë me kushtin që ka vënë Serbia për të vazhduar dialogun – themelimin e Asociacionit.

Krijimi i Asociacionit është një obligim që me nënshkrimet e tyre e kanë marrë mbi vete Hashim Thaçi më 2013 e Isa Mustafa më 2015. Pra, është një obligim shtetëror.

Të enjten Isa Mustafa nxori nga arkivi i tij një letër që ia kishte dërguar përfaqësuesja e lartë e BE’së, Federica Mogherini, një ditë para se ky të nënshkruajë marrëveshjen për Asociacionin, e në të cilën ajo i thoshte se ky organizëm nuk do të kishte kompetenca ekzekutive. Mustafa e bëri publike letrën sa për ta arsyetuar veten për nënshkrimin që kishte vënë. Por, në fakt, ai kishte nënshkruar diçka krejt tjetër – Asociascionin me kompetenca ekzekutive dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, gjë që u dëshmua edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata gjeti jo më pak se 23 nene kundër frymës kushtetuese.

Që atëherë me Asociacionin pushtetarët nuk u morën seriozisht, pavarësisht votimi të marrëveshjes në Kuvend. Tash ka ardhur koha që BE po e kërkon me ngulm krijimin e tij.

 

* * *

Tash gati një dekadë Kosova ka bërë lëshime të shumta në dialog karshi Serbisë. Në njëfarë forme ke ka ndjekur agjendën e interesave të Beogradit, në përpjekje për të dëshmuar vullnetin e mirë në arritjen e paqes dhe pajtimit me shtetin, i cili e shkatërroi gjatë luftës. Por krejt kjo pati pak efekt, ngase Serbia nuk është se ka ndryshuar shumë që atëherë, në raport me Kosovën.

Beogradi vazhdimisht ka kushtëzuar dialogun, duke synuar të përfitojë sa më shumë. Së fundi, vazhdimin e dialogut e pati kushtëzuar me heqjen e takës dhe reciprocitetit, gjë që edhe ndodhi. Tash kushtëzon sërish.

Asociacioni duhet krijuar, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e që i bie të jetë një OJQ. Por, pala serbe nuk pajtohet me një format të tillë dhe bën presion. Kosova, si palë më e dobët në dialog, zakonisht i nënshtrohet presionit që vjen i paketuar si kërkesë nga Brukseli. Nuk ka arsye të pritet se kësaj here do të ndodh ndryshe, sepse kështu ka treguar përvoja e deritashme.

Kosova sërish është vendosur në mes të dy zgjidhjeve të vështira, si në një sandwich. Politika e mbrapshtë, “politika e sandwichit”, e ka sjellë vendin në situatën që të zgjedh ndërmjet, de fakto, ndarjes dhe Asociacionit. Serbia kushtëzon sërish, e Kosova bëhet gati për të tjera kompromise. Një tregim tashmë i njohur dhe i rrezikshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco