Kryeministër Hoti, bëhu së paku një herë i guximshëm

Kryeministër Hoti, bëhu së paku një herë i guximshëm

Nga Syri.net Kosova - 18/09/2020

Gjashtë muaj prej fillimit të pandemisë, kosovarët kanë përfituar vetëm nga Pakoja Emergjente e miratuar nga qeveria Kurti.

Kuvendi ka dështuar deri tani që ta miratojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, që krijon mundësi të reja financiare për qytetarët dhe bizneset.

Qeveria Hoti, e zënë tani me dialogun intensiv me Serbinë, ku duket se e ka hapur kutinë e Pandorës, po shfaqet e pafuqishme dhe e papërgjegjshme.

Koalicioni në pushtet, nuk arrin as kuorumin në seanca parlamentare ta bëjë pa pjesëmarrjen e opozitës e lërë më të sigurojë votat e nevojshme.

Kryeministri Hoti është vënë në shënjestrën e opozitës për inferioritetin dhe dobësinë e treguar në bisedimet me Serbinë. Sulmet ndaj tij, po shpeshtohen edhe nga presidenti, që ka kërkuar një rezolutë në Kuvend për t’ia ndaluar “bisedat për temat e brendshme”.

Megjithatë, i besuari I Isa Mustafës në krye të qeverisë kosovare, po marshon sërish drejt dialogut për pronat e Kosovës dhe pakicën serbe, kishat e kufijtë, duke e rikthyer pozicionin e Republikës në kohën para shpalljes së pavarësisë.

Kjo rrëshqitje e frikshme në politikën e jashtme, ku ministrja e AAK-së, ka mbetur figurante dhe rolin e saj po e luan Skënder Hyseni, po e dëmton rëndë Avdullah Hotin.

Shpëtimi i vetëm për të është që së paku të zhbllokohet pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike. Pa votat e Kuvendit, kjo është e pamundur. Kryeministri, me qetësinë e tij të “admirueshme”, nuk duket shumë i mërzitur, edhe pse situata është emergjente.

Bizneset kanë humbur mbi një milliard euro deri tani. Deri në 50 mijë vende pune, konsiderohet se do të humben si pasojë e pandemisë. Të hyrat në buxhetin e shtetit, kanë pësuar rënie dramatike. Ndërkohë, rreth 300 milionë euro në formë të kredive dhe granteve ndërkombëtare janë heshtur e nuk dihet se si do të shpërndahen ato.

Me plogështinë e tij dhe pafuqinë për të treguar lidership në një moment vendimtar, Hoti po e sheh mbijetesën në nënshkrimin e marrëveshjeve befasuese për keq, në takimet me Serbinë.

Lojaliteti i tij ndaj ndërkombëtarëve që duan ta arrijnë një zgjidhje finale mes dy vendeve, është atributi i vetëm që i ka mbetur, por halli më i madh i kosovarëve tani nuk është as Serbia, e as njohja reciproke.

Në këto rrethana të përkeqësuara ekonomike e sociale, politike e diplomatike, Hoti do të duhej të këshillohej nga  shefi i vet partiak, Isa Mustafa që të guxojë së paku një herë në karrierën e tij politike.

Ai duhet ta paralajmërojë Kuvendin me dorëheqje nëse nuk e votojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike që t’u hapet rruga zgjedhjeve të reja parlamentare.

Nëse Kuvendi që e ka zgjedhur këtë qeveri, refuzon ta mbështesë vendimin kryesor për rimëkëmbjen ekonomike, atëherë qeveria duhet të bjerë dhe Kuvendi të shpërndahet, me shpresën se të zgjedhurit e rinj, do të jenë më të përgjegjshëm.

Qeveritarëve dhe parlamentarëve, nuk u është prekur asnjë cent në pagat dhe beneficionet e tyre, por qindra e mijëra kosovarëve, të ardhurat u janë reduktuar ndjeshëm. Sektori privat është kryesori që e mban arkën e shtetit, por është pikërisht shteti që po tallet me të.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco