Nga Agim Xhafka - 15:50, 21/08/2020
Para ca ditësh te plot portale u shfaq Ilir Vrenozi me portret të dhunuar. Hematomë te syri i djathtë e një pikëllim i lexohej në fytyrë.
Lajmi qe: njerëz të pushtetit e kishin kërcënuar dhe rrahur. Shkaku: fjala e shkruar e tij dhe videot që shfaq për problemet e shumta që kanë njerëzit.
Për ata që nuk e njohin po u sqaroj se Ilir Vrenozi është një qytetar i thjeshtë. Lindur e banues në Korçë. I martuar, me dy fëmijë dhe i papunë. Si shumica e njerëzve dhe ai hapi profilin e tij në Facebook. Me emër e mbiemër, me foto të veta, të miqve dhe të familjes.
Me statuse që sillnin përditshmërinë, hallet dhe brengat e njerëzve. Nga që ishte i besueshëm, se merrej me plagët e kohës te shkrimet e tij, u afruan plot lexues. Nga njeri i panjohur Ilir Vrenozi u kthye në njeri i famshëm. Në kuptimin e plotë të fjalës.
Atij i mungon çdo ditë paraja për ushqim e për qira, por i ka me shumicë ndjekësit. Te statuset e thjeshta, shkruar nga një njeri me arsim modest, por dhe te videot që i ka mbushur me sarkazëm, tallje, ironi, trishtim e dhimbje.
Ka kohë që Vrenozi sillet nëpër biseda njësoj si autorët e librave a regjisorët e filmave. Plot batuta të tij tashmë kalojnë gojë më gojë si fjalë të urta popullore.
Pikërisht këtij ndikimi iu tremb qeveria dhe vuri në punë sufllaqet e bodrumeve. Nisën raportimet dhe pas çdo jave faqja e tij mbyllej. Ia zinin gojën shërbëtorët e pushtetit. Iliri nuk ndjehej e revoltohej. Me qetësi priste ditën e lirisë së murit të tij. Sa hapej ai çelte problemet e njerëzve. Shkruante për rrenat e maxhorancës dhe tallej me mashtrimet e Ramës. Kështu nuk mbyllte javën se dënohej sërish.
Nuk mjaftoi shteti me kaq. E shtoi zullumin. Vendosi ta rrihte Vrenozin. Dhe një ditë e kërcënuan, e grushtuan, e paralajmëruan për më shumë. E pamë te foto e tij brutalitetin dhe barbarinë. Por pamë që ky burrë me plot e plot halle as shau kënd, as mallkoi kënd. Kërkoi dashuri mes shqiptarëve. Dhe foton me syrin e nxirë nuk e publikoi vetë, e nxorën miqtë e tij.
Bën përshtypje se asnjë shoqatë gazetarësh nuk bëri një deklaratë në mbrojtje të tij. Asnjë pipëtimë, heshtje varri. Se medemek Ilir Vrenozi nuk qenka gazetar.
E para, të reagonin se u rrah fjala e lirë. Ilir Vrenozi nuk u dhunua për probleme vetjake. Por për problemet e njerëzve, për pasigurinë e tyre, për korrupsionin dhe vjedhjen që u bën kasta. Kaq është boll që shoqatat e gazetarëve të ulërasin.
Se po hyjmë në diktaturë edhe me bekimin e drejtuesve të këtyre grupimeve.
E dyta, mes gazetarëve të sotëm Ilir Vrenozi është ku e ku më lart. Vërtet pa diplomë, por me produkt më cilësor se çdo gazetar.
Statuset e tij janë konçizitet mendimi, janë proverba, kanë frymëzim dhe kryesorja, janë të vërteta. Ndërsa videot, realizime ideoartistike që i bëjnë me zili dhe regjisorët më të nderuar.
Ilir Vrenozi sot është dukuri shprese. Në këto kohë kur gazetarët dhe mediat janë kthyer në shërbëtorë të qeverisë Vrenozët do shtohen se nevoja e popullit për ta është uluritëse.
Nga që nuk ka ekrane e gazeta të lira do ketë plot gazetarë pa diplomë, por që ashtu si mjekët kanë betimin e Hipokratit, këta do kenë betimin që do shkruajnë e do flasin veç për të vërtetën.
Gazetaria e betejës sot ka plot kalorës.
Një ndër ta është dhe Vrenozi.
Mos e rrihni, se ai quhet Ilir.
Nuk ia ndryshoni dot emrin...
© SYRI.net