Sistemi dhe trauma

Sistemi dhe trauma

Nga Idro Seferi - 11/08/2020

“Krijesat jashtë dukeshin nga derra në njerëz, nga njerëz në derra, dhe nga derra në njerëz sërish, por tashmë ishte e pamundur të thuhej se kush ishte kush”, – Georg Orëell – “Ferma e kafshëve”

Nga Idro SEFERI

Zakonisht gjërat të ngelen për ditën e fundit. Kështu u mundova të mos jetë kësaj radhe para pushimit dhe bëra gjërat gati disa ditë para. Një listë në një copë letër zyreje dhe duhet ti kontrolloja një nga një gjërat e plotësuara. Sa zvogëlohej lista e dija që jam më afër të nisëm për në Kosovë dhe me pas për në Shqipëri. Të takoja njerëz me radhë. Por, po të kesh detyrime duhet të përfundohen nëse nuk do që për pushime të zvarriten si intermeco gjërat e punës dhe ato të jetës. Tatimet, blerja e disa rrobave të verës, pagesat për ata që punojnë me mua dhe mbi të gjitha rregullimi i makinës. Beogradi është qytet i madh në të cilin jetohet pak më ndryshe se në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore. Por, edhe këtu duhet kohë për të mbaruar gjërat pasi si qytet i madh të ndikon në kohën nga pika A në pikën B. Bëra testin ta dija që nuk jam pozitiv me COVID-19 dhe pasi çdo gjë lidhet me këtë doja ta dija se a mund të takohem me prindërit pas shumë kohës.

Testi ishte po ashtu në listën e gjërave për të bërë. Në disa raste si për befasi arrita ti mbaroja shumicën e gjërave, me ngelen tatimet mujore, por ato edhe mund të presin pasi shteti serb kompanive ua ka shtyrë atë për vitin e ardhshëm, edhe pse refuzoj ti bëjë kështu për shkak se vitin e ardhshëm mund të jenë shumë para. Ditën e fundit takohem me një tetovar që ka një kompani që më ndihmon të bëjë pagesat dhe transaksionet financiare. Pimë kafe dy ditë rresht dhe barazohemi me para. Në të dyja ditët kisha problem me bankën, të parën sepse nuk ishte bërë zbatimi i urdhër pagesave ditën e parë, të dytën që disa orë para nisjes nuk mund të tërhiqja para më. Pavarësisht tentimeve nuk u nisa pa stres. Por, dikur pas nja një orë funksionoj sistemi prapë për pak minuta dhe meqë isha në radhë më duket se isha i fundit të tërhiqja para për atë ditë nga llogaria e kompanisë.

Nxitimthi verifikoj edhe një herë listën e gjërave që kisha për të bërë dhe nisëm pak vonë. Pas nja 3 orë rrugë arrijë në Preshevë dhe futem si në një qytet fantazmë ku rrallë aty këtu dukej ndonjë dritë. Takoj disa miq dhe nisëm për në Kosovë. Si në kohë të vështira mu krijua përshtypja se duhej me dalë nga malet si në kohën e konflikteve të armatosura. Në kufi më lejojnë të kaloj zi gazetar pasi rrugës bëjë gjithmonë edhe pak punë, ndonëse jo shpesh e dua një sistem tillë. Policët ishin të sjellshëm, por në Gjilan ku futesha nga Serbia në Kosovë ishte orë policore.

Në rrugë pak njerëz dhe pak makina. Në këtë periudhë viti do të ishte lumturi të kalosh kufirin me pak pritje, por tani në rrugë një përshtypje ankthi sikur kohë luftë. Natën dikur arrijë në Prishtinë në një pamje të ngjashme. Ditën e shoh se mbajtja e maskave këtu, për dallim prej Serbisë, megjithatë duket sikur nuk ka virus. Shifrat e tregonin të barabartë Kosovën me Serbinë ato ditë, ndonëse në Serbi kishte dyfishë më pak vdekje se në Kosovë. Por, këtu situata ishte tek njerëzit shumë me më pak frikë. Nuk i kisha dhënë dorën njeriu me muaj dhe këtu më ndodhi disa herë në ditë. Disa talleshin me mua që lyeja duart me alkool shumë shpesh në tavolina dhe në komunikim me njerëzit. Mbase do më digjeshin duart. “Këtë lema mu…”, më tha një shok, sikurse ndodh me diasporën por të kenë sjellë ndonjë celularë të ri. Mjetet e dezinfektimit dukeshin gati si risi në shumë raste, ashtu siç dukej risi mundësia e distancimit nëpër disa lokale ku njerëzit rrinin të qetë sikurse lajmi për virusin të ishte me vite larg. Në këtë udhëtim nëpër kohë në sheshin e Pejës erdhi dhe një këngëtar, që më falni për injorancën, mu desh kohë ta lokalizoja se kush ishte Mozzik.

“Burri i asaj Loredanës që ka vjedh…”, ma sqaroi shkurt një shok. Ky këngëtari kishte vendosur të shpërndante albumin e tij falas me një autobus. Qindra mijëra njerëz u vendosën në shesh si në kohët më normale që njerëzit të kapnin një copë talent të këtij personazhit në CD. Dhe, shembulli i “solidaritetit dhe kujdesit” u dha fuqishëm. Në një vend si Kosova ku të gjitha “masat” qenkan vetëm udhëzime, por jo obligime. Udhëzimet nuk janë masa, por një vetëdëshirë që këtu lë për të dëshiruar. Tregon dy gjëra të domosdoshme, ndryshimin e ligjeve dhe nevojën urgjente për një ligj mbi sigurimet shëndetësorë që gjë mund ta forconte dukshëm sistemin shëndetësorë që duket se gjithashtu funksionon në baza mirëkuptimi. Pas disa ditësh nisem për punë dhe qejf në Shqipëri. Kafeja e parë në një tarracë të bukur, por pa internet. Zonja më dha fjalëkalimin e internetit që nuk punonte. Kur i thash që nuk ka internet përgjigjja ishte e shkurtët: këtë kemi tani. “Kemi”- do të ishte përgjigjja.

Kohëve të fundit kam lexuar disa studime mbi traumën ndër gjenerata ose intergenerational trauma. Dhe, më ngjanë shumë me vendet e Ballkanit, ku në secilin nuk funksionon sistemi në një gjë. Diçka gjithmonë bie dhe përgjigja në fakt është e saktë: këtë kemi për momentin. Por, lëvizja nga pika A në pikën B është paksa më e vështirë. Trauma e trashëguar dhe e pazgjidhur gjithmonë krijon një trashëgimi të atyre që prindërit ose paraardhësit tanë kanë ndjerë e përjetuar, të cilat pavarësisht se disa nuk i kanë përjetuar i ndjejnë fuqishëm dhe sidomos trashëgojnë mënyrën e sjelljes të ndikuar nga kjo gjë. Si fenomen trauma mes gjeneratash është konstatuar tek fëmijët e të mbijetuarve të Holokaustit në një vëzhgim të bërë tek një grup më i madh fëmijësh në vitin 1966 pas kërkesave të shumta për trajtim që kishin disa klinika në Kanada. Analizat kanë treguar se kjo traumë ekziston tek një grup i madh grupesh sociale, familjet e të cilëve apo grupet etnike kanë kaluar nëpër sisteme traumatike. Dhe, këtu mund të futen ndoshta edhe popujt të cilët tranzicionin po e fusin disa në dekadën e tretë e disa madje edhe në dekadën e katërt. Dhe, gjithmonë është pyetja pse nuk po arrijmë të dalim nga kjo dhe arsyeja që personalisht kërkoj sqarime shkencore-qofshin ato ne fushën neuropsikologjike.

Georg Orëell në librin e tij emblematik “Ferma e kafshëve”, ka një situatë që e sqaron se si derrat që morën fermën dhe tani po silleshin si njerëz e bëjnë këtë gjendje të jetë normale. Derrat e rinj, thotë, nuk shohin asgjë të çuditshme, pasi për ta kjo gjendje është normale sepse ata janë rritur me të dhe nuk mbajnë mend një situatë tjetër. Dhe, pyetja këtu është a jemi në derrat e rinj të Orëellit apo thjesht na ka ra sistemi?

P.S. Një shprehje qe po e modifikoj, por me kuptimin e njëjtë thotë: Ruana Zot nga aviacioni amerikan, flota ruse dhe sistemi në Ballkan!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco