Thaçi të japë dorëheqje, të jashtëzakonshme janë...zgjedhjet

Thaçi të japë dorëheqje, të jashtëzakonshme janë...zgjedhjet

Nga Syri.net Kosova - 11/07/2020

Kosova po vuan pasojat e një puçi të organizuar me dirigjent presidentin e Kosovës. Ky i fundit, të hënën  do të intervistohet nga prokurori special në Hagë për një aktakuzë që e rëndon atë, Kadri Veselin dhe disa ish-figura të tjera të UÇK-së, për 100 vrasje. Pjesa dërrmuese e krimeve kanë ndodhur pas qershorit të vitit 1999, kur edhe përfundoi lufta.

Hashim Thaçi duhet të shkojë si individ,si ish-drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo si president. Nëse i ka mbetur pak burrni dhe konsideratë për këtë shtet, duhet të japë dorëheqje. Fundja, po shkon në gjykatën që vetë e mbështeti, prandaj nuk ka arsye pse të mos i besojë asaj.

Dorëheqja e presidentit, i hap rrugën edhe zhbllokimit të krizës që ka pllakosur Kosovën. Kryeparlamentarja Vjosa Osmani sipas Kushtetutës bëhet ushtruese e detyrës së presidentit dhe ka kompetencën të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Nga seanca në seancë, ky parlament po na stërbind se nuk është i denjë më ta ushtrojë veprimtarinë e tij. Devijimi i vullnetit të votuesve dhe shpërdorimi i besimit që shumica e deputetëve morën në zgjedhjet e vitit të kaluar me 6 tetor, e ka shpërfytyruar këtë legjislaturë.

Skenat bizare si ato të së premtes mbrëma, kur deputeti arrogant i LDK-së, iu vërsul kryeparlamentares, janë kulmi i kësaj krize parlamentare. Për të mos parë skena të tilla ditëve në vijim, partitë në bashkëpunim me u.d. të ardhshëm të presidentit, duhet të catojnë datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryeministri i dirigjuar nga Thaçi, po planifikon të shpallë gjendje të jashtëzakonshme duke siguruar dy të tretat në Kuvend me mbështetjen e PDK-së, pas dështimit në menaxhimin e pandemisë, por ky është një vendim i rrezikshëm, që do të kufizojë ashpër të drejtat e njeriut dhe do ta shtynte datën e zgjedhjeve.

Një mbyllje e re, do të jetë fatale për ekonominë edhe ashtu të rrënuar. Të pazotë për të mbikëqyrur zbatimin e masave mbrojtëse me një injorant në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, rezultatet që po shohim nuk janë aspak befasuese.

Nga ana tjetër, angazhimi në dialogun virtual tashmë, është një përpjekje tjetër e dështuar. Avdullah Hoti nuk ka legjitimitet për ta çuar Kosovën drejt një marrëveshjeje dhe ai do të luajë skenarin eventual të Thaçit. Kjo qeveri, që pritet të zgjerohet edhe me armatën e PDK-së, thjesht është koalicion pazaresh për dialogun e mbrapshtë me Serbinë dhe për të zhvatur edhe atë buxhet të dobët që ka mbetur.

Kriza politike, e shkaktuar në mesin e pandemisë, tani ka marrë përmasa alarmante. Vetëm zgjedhjet, e shpëtojnë Kosovën nga kjo rrëshqitje e pandalshme drejt anarkisë institucionale, ekonomike dhe shëndetësore.

Partitë që refuzojnë votimet, kanë frikë nga humbja e thellë, por nuk mund ta mbajnë peng një popull të tërë që është i etur për ta vazhduar ndryshimin aty ku e ndaluan Thaçi&CO.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco