Kur parlamenti bëhet më i rrezikshëm se koronavirusi

Kur parlamenti bëhet më i rrezikshëm se koronavirusi

Nga Syri.net Kosova - 09/07/2020

Prej një parlamenti që rrëzon qeverinë legjitime në mesin e një pandemie së cilës nuk po i shihet fundi, nuk mund të befasohesh në asnjë rast.

Përfaqësuesit e popullit që e kanë bërë zakon demonstrimin e papërgjegjshmërisë së tyre, janë rehat në ulësen e deputetit. Marrin paga të majme e gëzojnë privilegje të shumta. Asnjërit prej tyre nuk i është prekur xhepi në këtë kohë krize botërore. Por, sektorit privat që e mban buxhetin e shtetit, i ka ardhur laku te fyti. Mijëra biznese janë buzë falimentimit. Dhjetëra mijëra punëtorë nuk kanë të ardhura.

Është skandaloze kjo sjellje parlamentare, në periudhën kur vendi ka nevojë për mobilizim të përgjithshëm, unitet politik dhe veprim urgjent në rimëkëmbjen e ekonomisë së dërrmuar nga koronavirusi. Asnjë parti nuk mund të justifikohet duke ia hedhur fajin tjetrës. Bashkarisht, janë përgjegjëse për katandisjen e Republikës në këto rrethana të mjerueshme.

Vetëvendosje na tregon se sa të fortë e paraqesin sondazhet, PDK me një këmbë në qeveri po bën hesapet e radhës pas goditjes nga Specialja për kryetarin dhe ish –kryetarin, LDK është e zënë me akomodimin e partiakëve të saj në pozicionet e pushtetit, AAK e Nisma gjithashtu angazhimin kryesor e kanë hisen qeveritare, pozitat, tenderët...

Në këtë peisazh të shkapërderdhur politik, njerëzit në Kosovë janë lënë në fushë të hapur në përballjen me virusin. Më i lehtë megjithatë duket ky ballafaqim, sesa beteja me virusin e politikës së mbrapshtë.

Kuvendi nuk është në gjendje të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, aq të nevojshme në këtë fazë kur çdo donacion e fond, ka vlerë të jashtëzakonshme. Një ligj që e kërkoi Gjykata Kushtetuese për pandeminë, partitë në qeveri e refuzojnë sapo ia shohin emrin iniciatores, ndërkohë situata thuajse ka dalë jashtë kontrollit. Për zgjidhjet ekonomike, që janë pritjet kryesore nga komuniteti i biznesit, nuk i bie ndërmend askujt. Nga një qeveri që varej nga partitë shqiptare, sot udhëheqemi nga një ekzekutiv që mbijeton në sajë të votave të Listës së Vuçiqit.

Ky parlament, e ka humbur legjitimitetin dhe arsyen, ndjeshmërinë dhe përkushtimin. Kjo legjislaturë praktikisht, nuk është më në shërbim të sovranit, por është shndërruar në një levë të disa liderëve që e kanë humbur mbështetjen popullore.

Deputetët mund t’i binden sot urdhrave të Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt apo Aleksandër Vuçiqit, por kjo do të thotë se janë duke punuar kundër interesit shtetëror.

Shumica e deputetëve kosovarë, ashtu siç qenë të gatshëm ta votojnë qeverinë Thaç-Mustafa-Vuçiq, sot janë të gatshëm të votojnë një marrëveshje të keqe në dialogun Kosovë-Serbi. Ata janë të gatshëm të votojnë një president të ri, që njësoj si kryeministri, do të jetë marionetë e kësaj vendimmarrjeje për interesa të ngushta.

Si të tillë, sa më shpejt e humbin mandatin  dhe ky Kuvend shpërndahet, aq më mirë për Kosovën.

Do të ishte fatkeqësi e madhe, nëse vendimet e mëdha që e presin vendin, mbeten në duart e këtyre deputetëve që as kuorum nuk arrijnë të bëjnë dot, sepse disa janë më COVID, e disa në pushime verore...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco