Rama mori damkën që na kishte vënë, ‘Teatri’ ishte pika e kthesës

Rama mori damkën që na kishte vënë, ‘Teatri’ ishte pika e kthesës

Nga Enton Palushi - 25/05/2020

Mëngjesin kur u shemb Teatri Kombëtar, një shprehje e autores së famshme amerikane, Maya Angelou e përshkruante më së miri situatën për shumicën e njerëzve atë ditë.
“Kam mësuar se njerëzit e harrojnë atë që ke thënë, njerëzit e harrojnë atë që ke bërë, por njerëzit nuk e harrojnë kurrë se si i ke bërë të ndjehen”.
Atë mëngjes shumë njerëz u ndjenë keq. Teksa lopata e fadromës godiste fasadën e Teatrit Kombëtar në terrin e së dielës, momenti i shembjes do mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Aq më shumë, do ngelet në brendësi të gjithsecilit. Ato momente, të gjithë ata që e donin apo nuk e donin teatrin, janë ndjerë keq. 
Është e vështirë të përcaktosh se cili është momenti kur gjërat në një vend shemben përfundimisht, kur demokracia vdes, kur institucionet bien apo kur mafia e kap për fyti përfundimisht shtetin. 
Por janë disa ngjarje që përbëjnë një pikë kthese për një qeveri. Rasti i teatrit është tipiku. Ai është një ‘tipping point’ për Edi Ramën. Pas kësaj, asgjë nuk kthehet më mbrapa për të. Ky është ai momenti kur gjërat thyhen dhe nuk ngjiten më. Tani asgjë nuk e ndal fundin e tij.

*
Dalin apo nuk dalin në shesh shqiptarët, janë apo nuk janë dashnorë të teatrit, kuptojnë apo nuk kuptojnë nga arkitektura, kjo nuk ka rëndësi shumë. Rama u ka shembur një gjë që nuk kthehet mbrapa. 
Që kjo është ajo pika e kthesës, e kanë kuptuar jo vetëm shqiptarët, por edhe mediet më të rëndësishme të kontinentit. Kurrë nuk ka ndodhur që gazetat më të mëdha në Europë të jenë kaq në sinkron në raportimet e tyre. Nuk është parë ndonjëherë që ‘newspapers of record’, ose ndryshe mediet e referencës, që nga Italia, Gjermania e Franca, të shkruajnë me tone të tilla kaq të ashpra. Dy gazetat ‘leitmedien’ në publicistikën gjermane, Sueddeutsche Zeitung dhe Frankfurter Allgemeine e quajnë një skandal. E para thotë se po shkatërrohet teatri për të ndërtuar qendër tregtare. E dyta thotë se ky është një skandal korruptiv, një krim moral.
Në Austri, gazeta autoritare, Der Standard e quan një krim nazist, një grusht shteti në kohën e koronavirusit. Në Itali trishtohen njësoj si ne, duke thënë se ishte sikur të shembej Koloseu dhe Arena e Veronës. ‘Ne po mendojmë si të rihapim teatrot, Shqipëria po i shemb’.
‘Shuplaka’ të forta vijnë edhe nga Franca. Liberation thotë se artisti ka zhgënjyer shpresat e të rinjve. Kurse Le Monde e tejkalon edhe zemërimin e çdo shqiptari, kur thotë se ky është ‘një akt barbar’.

*
Voilà! Ja ku e mësuan edhe në Europën e qytetëruar se kush është barbar në këtë vend. Na qenka artisti Rama, ai që prej dy dekadash e shet veten me të shtrenjtë në medien ndërkombëtare si njeriu që dashuron të bukurën dhe rregullin. ‘A nuk e keni njohur akoma Edi Ramën gjithë këto vite,’ pyet shkrimtari Kim Mehmeti. Po, e kemi njohur. Që kur e ka nisur karrierën e tij politike mbi dy dekada më parë, ia ka dalë të ngrejë në maja kombinimin toksik mes krimit, drogës, pastrimit të parave dhe lejeve të ndërtimit. Kështu e ka nisur, kështu po e mbyll. Nuk ka asgjë artistike në historinë e tij politike. Por kjo nuk e zhbën faktin se ai ia ka dalë të krijojë imazhin e njeriut të ndriçuar në Europë. 

*
E keqja e madhe është se Rama e ka ngritur profilin e njeriut të ndriçuar në kurrizin e shqiptarëve. Ai, që po zbulohet si barbar, në fakt është përpjekur me kohë që të damkosë shqiptarët si të tillë.
Ndoshta nuk e keni kuptuar se në rang ndërkombëtar, tezën e shqiptarëve të egër dhe kriminelë nuk e ka përçuar askush më shumë se kryeministri aktual i shqiptarëve.
Si mendoni, për çfarë kanë shërbyer qindra intervista, profile dhe shkrime të mediave të huaja që kanë pasur në qendër Edi Ramën që kur erdhi në pushtet para 22 vitesh? Merrini dhe lexojini e shikojini të gjitha këto shkrime e video, të cilat në jo pak herë janë të sponsorizuara me paratë tona, që nga i pari deri te më i fundit para pak ditësh në një media gjermane dhe do kuptoni se refreni është i njëjtë: Artisti që u kthye në politikan po lufton me turmën e njerëzve të zymtë dhe barbarë, që nuk e duan të bukurën, nuk i duan ngjyrat, nuk e duan rregullin, nuk e duan ligjin. Madje edhe të gjitha daljet ndërkombëtare narciste të Ramës me atlete, me lapsa me ngjyra, të gjitha këto shpikje në thelb i kanë shërbyer nevojës për t’u distancuar nga shqiptarët e prapambetur. Dhe nëse nuk e besoni këtë tezë, lexoni intervistën e historianit Oliver Jens Schmitt që thotë se teksa në Perëndim Rama ka krijuar imazhin e artistit dhe intelektualit, problemet janë kaq të mëdha, sa i kanë rënë dy ministra të Brendshëm njëri pas tjetrit të damkosur si të lidhur me krimin.

Po pse, me çfarë përshkrimi mendoni se shpërndahen nga Erion Veliaj e shokë nëpër mediet e huaja apo kancelaritë ndërkombëtare videot e përplasjeve te Teatri, Astiri, te Bregu i Lumit apo te protestat opozitare? Të gjitha shkojnë me diçiturën e vandalëve që nuk e duan rregullin, nuk e duan investimin, nuk e duan përparimin. 

*
Problemi është se ka edhe nga ju që mendoni se jeni fajtorë. Në dy dekada në drejtim, Edi Rama e ka bërë të qartë se asnjëherë nuk e ka parë si problem qeverinë, por qytetarët. Merrni dhe analizoni çdo aksion që ka bërë që prej ditës së parë. Ju jeni fajtorë dhe do jeni gjithmonë. Mund të jenë edhe francezët dhe gjermanët, por qeveria shqiptare kurrë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco