"Mandela Effect" dhe Gjykata Kushtetuese

Nga Asdren Rrahmani - 22/05/2020

Gjatë kësaj periudhe të pritjes dëgjuam me dhjetëra variante të interpretimeve se cili do të duhej të ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të dhëna këto nga gjithologët e shumtë të cilët frekuentojnë nëpër studiot e shumta televizive, e edhe nga ekspertë të ndryshëm kushtetues, të cilët gjithashtu kanë qenë disa nga përpiluesit e kësaj kushtetute.

Kam bindjen që pas 30-40 vjetësh do të dalin interpretime të ndryshme nga njerëz të cilët në atë shtrirje kohore do ta shpjegojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese pro Dekretit të Hashim Thaçit, apo pjesa tjetër e cila do ta shpjegojë kujtesën e tyre se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur kundër Dekretit të presidentit Thaçi. E gjithë kjo si pasojë e "Mandela Effect"

Më herët pata shënuar në Ditarin tim se si pranvera kishte arritur shumë më herët sivjet. Për të vazhduar me të njëjtin trend, edhe vera ka mbërri shumë më herët sivjet, dhe gjysma e dytë e majit na gjen me temperatura 28°C në Londër. Veçse e kam idenë se me çfarë temperaturash do të përballemi në muajt korrik dhe gusht. Pandemia dhe karantina ende qëndrojnë aty për të na e rikujtuar se sa i çmendur ka qenë ky vit dhe sa i çmendur vazhdon të jetë.

Në këto çmenduritë të cilat na i solli natyra në pjatat tona nuk mungojnë as ato çmenduritë tona si popull, pa të cilat ne nuk mundemi. Shembull për këtë sigurisht do të ishte tashmë i shumëfoluri dhe i komentuari rrënimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë në orë të vona të vikendit në kohë pandemie dhe karantine. Nuk dëshiroj që ta shtjelloj më tutje si temë, pasi që u tha shumë dhe vështirë se do të mund të thosha diçka të cilën tashmë veçse nuk e keni dëgjuar, mirëpo ia vlejti që ta veçoja si shembull i çmendurisë tonë.

Në Kosovë, në anën tjetër, patëm një mot kur ditë më parë ra edhe breshër, kokrrat e të cilit ishin më të mëdha se vezët e pulës dhe çuditërisht në formë të Covid-19! Sensi për "humor" i natyrës është mbresëlënës. Kjo më rikujton me të ashtuquajturën "Mandela Effect". Ky efekt shpjegohet si një dukuri e përshkruar nga persona 30+vjeçar të cilët datën e vdekjes së Nelson Mandelas e kanë në kujtesën e tyre si diçka që ka ndodhur në fundvitet ‘80, disa të tjerë e kujtojnë si një ngjarje që ka ndodhur në fundvitet ‘90, ndërsa e vërteta është se Nelson Mandela ka ndërruar jetë në dhjetor të vitit 2013.

Janë edhe shumë ngjarje të tjera të cilat si dukuri quhen "Mandela Effect", ku njerëzit kanë kujtesë të ndryshme kohore për të njëjtën ngjarje. Një tjetër shembull i "Mandela Effect" ndërlidhet me atë se kujtesa jonë mbi vendosjen e veshkave në trupin tonë është pjesa e fundshpinës sonë, unë ashtu e mbaj mend edhe nga lënda e anatomisë, kur isha student i mjekësisë. Mirëpo, po qe se sot e bëni një kërkim në

Google images "location of kidneys" do të shihni foto të shumta se veshkat janë të pozicionuara shumë më lart në trupin e njeriut dhe janë të mbrojtura edhe nga brinjët e kraharorit tonë! Nuk po e di a po e kuptoni implikimin e dy realiteteve të ndryshme. Njëra nga teoritë e cila e shpjegon këtë dukuri thotë se kjo është një dëshmi se jeta jonë dhe perceptimi ynë mbi realitetin janë vetëm një simulim.

"Mandela Effect" është dëshmia e sistemit të simulimit për të mos qenë i përkryer dhe t’i ketë gabimet e veta në "programim". E kur jemi te ajo fuqi "mbinatyrore" e cila është përgjegjëse për simulimin e realitetit tonë, sensin për humor e kanë ruajtur për "simulimet" me realitetin dhe perceptimin e tij nga shqiptarët dhe budallallëqet të cilat na kanë përcjellë si popull ndër shekuj. Kur e mendoj dhe analizoj nga ky këndvështrim, atëherë së paku e gjej një ngushëllim që ne qenkemi një humor i mirë për "forcën" përgjegjëse e cila e kontrollon simulimin e realitetit për njerëzimin. Për ta kuptuar më shumë këtë dukuri, vitet e fundit rishtazi është xhiruar një film me të njëjtin titull "The Mandela Effect", ju sfidoj që ta kërkoni në internet dhe ta shikoni, jam i sigurt se pasi që ta shikoni do ia bëni vetes ca pyetje. Ndoshta memoria jonë kolektive mbi ngjarjet e ndryshme historike është subjektive, apo ndoshta edhe selektive.

Skena politike kosovare është në ethet e pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e Dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin e ri për kryeministër. Gjatë kësaj periudhe të pritjes ne dëgjuam me dhjetëra variante të interpretimeve se cili do të duhej të ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të dhëna këto nga gjithologët e shumtë të cilët frekuentojnë nëpër studiot e shumta televizive e edhe nga ekspertë të ndryshëm kushtetues, të cilët gjithashtu kanë qenë disa nga përpiluesit e kësaj kushtetute.

E kam bindjen që pas 30-40 vjetësh do të dalin interpretime të ndryshme nga njerëzit të cilët në atë shtrirje kohore do të shpjegojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese pro Dekretit të Hashim Thaçit, apo pjesa tjetër e cila do ta shpjegojë kujtesën e tyre se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur kundër Dekretit të presidentit Thaçi. E gjitha kjo si pasojë e "Mandela Effect".

Një teori tjetër këtë fenomen e sqaron me faktin se në një univers tjetër paralel koha ecën mbrapsht dhe ajo e afekton Universin dhe kohën të cilën ne jetojmë! Këto janë vetëm teori, e një tjetër nga to thotë se këto janë pasoja të udhëtarëve të ndryshëm në kohë me pasojat të cilat ata i kanë lënë në shtrirjet kohore falë aksioneve të tyre gjatë "udhëtimeve në kohë".

E di që të gjitha këto po tingëllojnë si skena nga ndonjë film i fanta-shkencës, por, ç’është e vërteta, bota paranormale dhe metafizike nganjëherë më mbetet i vetmi "ngushëllim" për t’u munduar që t’i kuptoj ngjarjet dhe veprimet e njerëzve, e sidomos të politikanëve.

Pas 30-40 vjetësh, falë "Mandela Effect", njerëzit do të ndahen në dy grupe; ata të cilët e mbajnë ndërmend që Hashim Thaçi nuk i bëri votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës dhe nuk u zgjodh president i Kosovës në vitin 2016, dhe grupi i tjetër i njerëzve të cilët saktësisht do ta kujtojnë ditën historike kur institucionalistët e LDK-së i bënë numrat e nevojshëm të votave për ta zgjedhur Hashim Thaçin president.

E sikur teoria e udhëtarëve në kohë të jetë ajo e vërteta e cila e sqaron dukurinë e "Mandela Effect" gjithçka do të jepja sikur mua të më jepej mundësia të isha ai udhëtari në kohë dhe t’i bëja ca ndryshime dhe korrigjime të vogla në rrjedhën e ngjarjeve në histori. Si pasojë e ndërrimeve të vogla, të cilat unë si udhëtar në kohë do t’u bëja disa rrjedhave historike, sot Kosova veçse do ta kishte liberalizimin e vizave, gjarpni kishte qenë vetëm zvarraniku i cili jeton në habitatin e vet të caktuar nëpër male e shkrepa dhe nuk do të bëhej nofkë e as sinonim i askujt gjatë luftës në Kosovë,

Dietikoni do t’i kishte ca palë farmerka të shpëtuara më shumë në tel gjatë terjes së tyre, e Zürichu një "student historie" më pak e edhe kufijtë e Kosovës nuk kishte pas kush t’i korrigjojë e as kush t’i kthejë "dhuratat e Rankoviqit" mbrapa për Serbi. Një ligjëratë e shkurtër e imja mbi planifikimin familjar në një fshat të vogël në Kosovë të quajtur Burojë sot do të kishte një impakt të madh për Kosovën.

Sa do të dëshiroja që ky Ditari im të ishte interaktiv dhe tani t'ua bëja pyetjen lexuesve të tij se cila do të ishte një rrjedhë historike të cilën ata do ta ndryshonin po të ishin udhëtarë në kohë? Përgjigjet sigurisht se do të ishin shumë interesante dhe sqarimi se cili do të ishte impakti sot pas atyre ndryshimeve të bëra në kohë?

A është koha fenomen linear? Fizika kuantike lë hapësirë për shpjegimin e universeve paralele e edhe të ngatërresave kuantike e që është një tipar parësor i mekanikës kuantike që e dallon nga mekanika klasike. E të gjitha këto së bashku nuk e përjashtojnë as mundësinë e udhëtimit në kohë. Si arrihet deri aty për momentin ende nuk ka shpjegime të qëndrueshme shkencore, nëpërmjet vrimave të zeza në hapësirë apo përmes ndonjë mënyre tjetër ende të pazbuluar, mbetet të shihet. Dyshoj se një zbulim i tillë do të ndodhë në periudhën sa unë do të jem pjesë e këtij realiteti në këtë botë.

Lexuesit të Ditarit tim i kërkoj falje që kësaj radhe shkrimi kishte të bënte më shumë me trajtimin e diçkaje paranormale, por prapë mendoj se do të jetë pak ngacmues për trurin tuaj. Çka nëse? …?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco