Pazari Thaçi-Mustafa/ 81 vota, aq duhen për ndarjen e Kosovës dhe presidentin e ri

Pazari Thaçi-Mustafa/ 81 vota, aq duhen për ndarjen e Kosovës dhe presidentin e ri

Nga Syri.net Kosova - 26/03/2020

Çdo e keqe e ka një të mirë. Rënia e shpejtë e qeverisë Kurti që projektohej 4 plus 4 nga partnerët, e thërret Kosovënë drejt një rilegjitimimi në kutitë e votimit.

Ata që shkelën dje mbi votën e qindra mijëra kosovarëve që shpresuan në qeverinë VV-LDK, dje i hoqën maskat. Deputetët e Lidhjes Demokratike që iu bindën kryetarit të partisë, hodhën baltë mbi vullnetin e elektoratit.

Mes Isa Mustafës e Vjosa Osmanit, ata zgjodhën të shkuarën. Fjalimi i kryeparlamentares, edhe pse ishte i shkëlqyer, nuk ndikoi te mocionistët.

Deputetët e opozitës, e kishin një rast të volitshëm për të dëshmuar se janë për shtet më shumë se për pushtet, por duke ua njohur të kaluarën politike, nuk e befasuan askënd.

Deputetët e Listës Serbe që urdhërohen nga Aleksandër Vuçiqi, mezi pritën ta rrëzonin kryeministrin që është bërë pengesë serioze e Zajednicës dhe ndarjes së Kosovës.

Skenarin e rrezikshëm, e injoruan të gjithë mbështetësit e mocionit. Asnjë fjalë. Votimi i djeshëm tregoi se presidenti Thaçi, mund të llogarisë në 81 votat e deputetëve të dirigjuar në Kuvendin e Kosovës.

Kjo do të thotë se marrëveshja me Vuçiqin, për të cilën kryeministri, tashmë në detyrë, thotë se është e gatshme, mund t’i mbërrijë së shpejti peshqesh legjislativit, për ta miratuar.

A nuk kanë bërë kështu edhe me Marrëveshjen për Normalizmin e Marrëdhënieve me Serbinë, me themelimin e Gjykatës Speciale për krime të luftës…?

Kjo do të jetë edhe më e rëndë dhe qeveria në detyrë nuk ka shanse ta ndalë. Edhe po u bë një qeveri e re me PAN-in, do të jetë në shërbim të këtij qëllimi monstruoz.

Koronavirusi e ka zvarritur pak planin e Vuçiqit e Thaçit, që e ka mbështetjen e plotë edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Megjithatë pandemia, një ditë do të bjerë e protagonistët e ndarjes së Kosovës do të përpiqen ta finalizojnë marëveshjen e dëmshme.

Terrenin e kanë hapur me rrëzimin e Kurtit, Kuvendin e kanë në grusht. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka thënë se qeveria duhet ta udhëheqë dialogun dhe jo presidenti, pak vlerë ka kjo.

Në një situatë kur marrëveshja e mbrapshtë i mbërrin Kuvendit dhe 81 deputetët që rrëzuan qeverinë e shpresës, veprojnë njësoj, interpretimi eventual i Gjykatës Kushtetuese është i ditur.

Thaçi është përkujdesur që të ketë në krye të saj njerëzit e tij. Kësisoj manovra e pritshme e presidentit, ka rrezik të ketë sukses në këtë valë pandemie që ka përfshirë globin.

Por, pse i ngutet kaq shumë presidentit të Kosovës? Vetëm një arsye është e besueshme. Gjykata Speciale. Së fundmi, pak para rënies së qeverisë Kurti, Thaçi u shfaq me një palë gërshërë të mëdha, duke krasitur degët e një peme, apo siç tha ai “ca pipa”.

Ai është akuzuar se ka bërë “krasitje” kriminale.

Hashim Thaçi, personazhi kryesor i raportit të Dik Martit i përfolur për krime lufte dhe veprimtari mafioze, mund të jetë njëri nga personat e akuzuar në Hagë.

Një pazar në kurrizin e drejtësisë ndërkombëtare, nuk e befason askënd. Thaçi jep ca territor, finalizohet marrëveshja e presidenti amnistohet.

Me fondet publike, ai ka investuar shumë viteve të fundit në përmirësimin e imazhit të tij, përmes lobeve të ndryshme.

Pavarësisht kësaj, mbetet një lider tashmë i urryer  për shkak të pasojave që ka lënë sundimi i tij që prej ndarjes nga jeta të presidentit Rugova.

Por, pyetja që shtrohet tani është se pse Isa Mustafa, po i a mundëson realizimin e planit, Hashim Thaçit?

Një përgjigje është e besueshme. Lideri i LDK-së, është një karrierist i pashërueshëm dhe kalkulimet i bën gjithnjë që të arrijë me çdo kusht pozicionet e synuara. Kështu, ishte bërë kryeministër pasi e ushqeu shpresën e votuesve për ta nxjerrë PDK-në në opozitë në vitin 2014, duke nxitur një eksod të frikshëm të kosovarëve drejt perëndimit. Ngjashëm, do të synojë të bëhet president. Marrëveshja e koalicionit me VV-në, nuk e garantonte për 80 deputetë në sallë, aq sa duhen për kuorum. Prishja e qeverisë, ia shton gjasat për presidencën.

Pakti është i thjeshtë. LDK voton marrëveshjen e Thaçit, PDK e bën president Isa Mustafën.

Për liderë si Hashim Thaçi e Isa Mustafa, nuk ka fort rëndësi a e pëson Kosova dhe qytetarët e saj. Po të kishte pasur, nuk do të gjendeshim sot në mesin e një pandemie vrastare, me një shëndetësi të gjunjëzuar e ekonomi të dobët, shtet të kapur e pa qeveri.

Gabohen ata që mendojnë se edhe pas shkarkimit, situata është e njëjtë.

Pra, ata e shkarkojnë qeverinë, por punët duhet të kryhen si më parë. Nuk është më ashtu. Koston e hallit personal të Thaçit e ambicjes së sëmurë të Mustafës, po e paguan një popull i tërë.

E turpshme, por fatkeqësisht e vërtetë!

Vetëm zgjedhjet e reja mund ta parandalojnë një pazar të tillë mbi kurrizin e popullit të Kosovës. Sa më shumë shtyhen, aq më e rrezikshme bëhet situata për vendin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco