“Lule Gjeli”, ish deputeti i VV-së: Jam i gatshëm të depozitoj dëshmi

“Lule Gjeli”, ish deputeti i VV-së: Jam i gatshëm të depozitoj dëshmi

22:29, 27/07/2026
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë para institucioneve të drejtësisë lidhur me veprimtarinë e Lule Gjelit në rrjetet sociale, duke pretenduar se ajo ka qenë e përfshirë në fushata linçimi ndaj individëve dhe proceseve të rëndësishme në vend.

Në emisionin “Debat Plus”, Abazi e ka përshëndetur nisjen e procesit të identifikimit nga organet e drejtësisë, duke thënë se edhe më herët, përmes një postimi publik, kishte ofruar të depozitonte dëshmitë e tij.

“Është mirë që institucionet e drejtësisë e kanë fillu procesin e identifikimit. Edhe në postimin tim që e kam bërë, kam ofru të dëshmojë dhe të depozitoj dëshminë për profiling e Lule Gjelit dhe implikimet që veprimtaria e tij, jo vetëm përbrenda rrjeteve sociale të cilat janë të panumërta në atë që unë e kam qujtë milicinë e Lëvizjes Vetëvendosje, që targeton individë, procese të rëndësishme të vendit. Kjo në cilindo vend demokratik, ku ruhet e drejta e shprehjes dhe media me integritet, ndjeket si formë e propagandës, linçimit dhe deformimit të individëve dhe proceseve”, ka deklaruar Abazi.

Sipas tij, aktiviteti i përshkruar ka pasur për synim individë dhe procese të rëndësishme në Kosovë, duke e cilësuar atë si propagandë dhe përpjekje për dëmtimin e reputacionit të personave të caktuar.

Abazi tha se mbetet i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe të paraqesë dëshmitë që, sipas tij, i posedon lidhur me këtë rast.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco