15 vjet nga rënia e Enver Zymberit, Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë

15 vjet nga rënia e Enver Zymberit, Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë

12:04, 26/07/2026

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është sot më e sigurt se kurrë, duke vlerësuar se institucionet e sigurisë kanë dëshmuar qëndrueshmëri dhe profesionalizëm përballë sfidave ndër vite.

Komentet e tij u bënë pas homazheve te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, në 15-vjetorin e rënies heroike të Enver Zymberit.

Kurti tha se dita nisi me homazhe te varri i Adem Demaçit, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, së bashku me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

“Bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjën Albulena Haxhiu, sot ditën e filluam me homazhe te varri i Adem Demaçit, simbolit të rezistencës, Mandelës sonë dhe Mandelës evropiane, i cili kaloi 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe të cilit sot ia shënojmë tetëvjetorin e ndarjes nga jeta.

Prej aty erdhëm këtu, te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, për t’i nderuar ata, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, si dhe kolegë të tjerë nga ekzekutivi i Republikës dhe Policia e Kosovës”, tha ai.

Duke folur për Enver Zymberin, Kurti tha se ai u vra teksa po zbatonte ligjin, mbronte integritetin territorial dhe garantonte siguri e paqe për të gjithë qytetarët.

“Dita e sotme përkon me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial dhe po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë, pa dallim. Mirëpo, dora kriminale e strukturave të Serbisë qëlloi për vdekje mbi të.

Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Ai po zbatonte ligjin dhe, me rënien e tij, frymëzoi shumë policë të Kosovës, si ata që ishin në detyrë, ashtu edhe të tjerë që më pas iu bashkuan Policisë”, u shpreh Kurti.

Ai përmendi edhe zhvillimet e 5 nëntorit 2022, kur rreth 550 policë të komunitetit serb u larguan kolektivisht nga veriu i vendit me urdhër të Beogradit, duke thënë se kjo nuk e dëmtoi funksionimin e Policisë së Kosovës.

“Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional nuk u cenuan, ndërsa karakteri shumetnik i Policisë së Kosovës u ruajt, pavarësisht përpjekjeve për ta minuar atë”, deklaroi Kurti.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco