Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja në LDK: Jo për me u nda, por me u bashku rreth një lidershipi të ri

Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja në LDK: Jo për me u nda, por me u bashku rreth një lidershipi të ri

18:50, 26/06/2026

 

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në parti, duke theksuar se ato janë të domosdoshme për rikthimin e besimit dhe legjitimitetit.

Gashi ka vlerësuar se LDK-ja duhet të reflektojë pas rezultateve zgjedhore, duke shtuar se përgjegjësia politike është virtyt dhe jo dobësi.

“Kur për disa zgjedhje me radhë nuk arrijmë me e fitu besimin e shumicës, nuk duhet me kërku fajtorë. Duhet me kërku përgjigje. Në politikën e qendrës së djathtë, përgjegjësia asht virtyt, jo dobësi”, ka shkruar ai.

Sipas Gashit, LDK-ja është më shumë se një parti politike dhe duhet të jetë shembull në mënyrën se si përballet me sfidat.

“LDK-ja asht ma shumë se nji parti. Asht tradita politike që i ka vu themelet Republikës… Kur mungon suksesi, duhet me mbizotëru arsyeja mbi emocionin, institucioni mbi individin dhe interesi i LDK-së e i Kosovës mbi çdo interes personal”, ka theksuar ai.

Gashi ka nënvizuar se zgjedhjet e brendshme nuk duhet të shihen si përçarje, por si mundësi për forcimin e partisë.

“Prandaj, zgjedhjet nuk janë problemi. Zgjedhjet janë zgjidhja. Janë mekanizmi që rikthen legjitimitetin, besimin dhe energjinë për nji cikël të ri politik”, është shprehur ai.

Ai ka vlerësuar se vendi i tretë nuk duhet të bëhet normalitet për LDK-në dhe ka bërë thirrje për një proces të ri zgjedhor brenda partisë.

“As LDK-së e as Kosovës nuk i shkon për shtat vendi i tretë. Kjo nuk mundet me u ba normalitet… Le të shkojmë në zgjedhje brenda LDK-së, jo me u nda, por me u bashku rreth nji legjitimiteti të ri, nji lidershipi të ri dhe nji misioni të përbashkët”, ka përfunduar Gashi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco