Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj serioz, siç thotë ajo, për mungesën e konsideratës nga ana e Qeverisë në detyrë ndaj thirrjeve të përsëritura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin rajonal të furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).
Përmes një reagimi publik, Oda Amerikane vlerësoi se qasja në gazin e lëngshëm amerikan përbën jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike për Kosovën, në një kohë kur vendi mbetet i varur nga kapacitetet e vjetruara të prodhimit të energjisë, importet e larta të energjisë elektrike dhe një treg rajonal gjithnjë e më i paqëndrueshëm.
Sipas Odës Amerikane, diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kryesore të Kosovës.
Në reagim theksohet se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor tashmë kanë shprehur gatishmërinë për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kontekst, Oda Amerikane paralajmëroi se Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po formëson të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore.
Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës”, thuhet në reagim.
Oda Ekonomike Amerikane u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të mosangazhimit në nismat rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje.
© SYRI.net