Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet po hyn në fazën përfundimtare, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në mesditën e së mërkurës pritet të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga jashtë Kosovës përmes postës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur për Klankosova.tv se procesi është drejt fundit dhe se shumica e kutive me votat e diasporës do të procedohen për numërim brenda ditës së sotme.
“Deri në fund të ditës së sotme do të procedohen për numërim 216 nga gjithsej 223 kuti votimi, ku janë sistemuar zarfet me fletëvotimet e ardhura nga votimi jashtë Kosovës përmes postës”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka shtuar se edhe kutitë e mbetura do të trajtohen brenda orëve të para të së mërkurës.
“Shtatë kutitë e mbetura do të fillojnë të numërohen në orët e mëngjesit të së mërkurës, ndërsa deri në mesditë pritet të përfundojë i gjithë procesi i numërimit të votave nga diaspora”, është shprehur ai.
Ndërkohë, KQZ-ja do të nisë paralelisht edhe numërimin e votave me kusht. Ky proces do të zhvillohet për fletëvotimet e hedhura në 52 vendvotime me kusht në nivel vendi, ku sipas të dhënave zyrtare janë evidentuar 8,751 votues.
“Po ashtu, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, si dhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta”, ka bërë të ditur Elezi.
Me përfundimin e numërimit të votave të diasporës dhe nisjen e trajtimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, procesi i numërimit të rezultateve zgjedhore po hyn në fazën e fundit, para shpalljes së rezultateve përfundimtare.
© SYRI.net