27 vite pasi NATO hyri në Kosovë dhe vendosi mbi 50 mijë trupa në misionin paqeruajtës të KFOR-it, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich tha se Aleanca ushtarake do të riorganizojë gradualisht forcën për mbështetjen e atij misionit gjatë vitit të ardhshëm.
Ky vendim erdhi pas vlerësimit se situata e sigurisë në vend është përmirësuar “NATO-ja dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë”.
“Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, ndërsa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë një mundësi për të optimizuar më tej madhësinë dhe pozicionin e KFOR-it”, shtoi ai duke theksuar se ndryshimet do të ndodhin gradualisht në përputhje me kushtet në terren dhe nëse do të jetë e nevojshme ky proces mund të ndalet.
KFOR, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, është vendosur që nga viti 1999 dhe aktualisht numëron rreth 4600 trupa. Pas tensioneve në veri dhe dhunës në vitin 2023, përfshirë sulmet ndaj paqeruajtësve të NATO-s në qytetin verior të Zveçanit, Aleanca dërgoi rreth 1 mijë trupa shtesë, duke shënuar përforcimin më të madh të KFOR-it në më shumë se një dekadë.
NATO-ja riafirmoi gjithashtu angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe tha se do të vazhdojë të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Beogradit dhe Prishtinës, duke e cilësuar atë thelbësor për stabilitetin rajonal afatgjatë.
© SYRI.net