Rreth 23 mijë nxënës, do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë që mbahet më 26 qershor. Edhe këtë vit ky test do të organizohet vetëm në një ditë, kanë bërë të ditur drejtues të Ministrisë së Arsimit. Njohës të arsimit, vlerësojnë se organizimi i këtij testi, për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme, kërkon përgatitje të duhura.
Edhe këtë vit shkollor Testi i Arritshmërisë do të organizohet vetëm në një ditë, më datë 26 qershor, ku do t’i nënshtrohen rreth 23 mijë semimaturantë. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, në një përgjigjeje për Radio Kosovën dha detaje rreth mbarëvajtjes se këtij testi.
“Testi do të organizohet me 26 qershor dhe nxënësit ngjashëm si viteve të kaluara do t’i nënshtrohen testit vetëm në një ditë. Do të jenë katër grupe të lëndëve: gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë, informatikë, shkenca shoqërore, histori, gjeografi, shkenca natyrore, fizikë, kimi, biologji. Katër grupet i kanë gati 25 kërkesa”, tha Elezi
Ndërkaq, njohës të arsimit po vlerësojnë se organizimi i Testit të Arritshmerisë është i rëndësishëm për orientimin e nxënësve për shkollimin e mesëm. Xhavit Rexhaj i tha Radio Kosovës se ky test nuk duhet të anulohet siç është kërkuar me herët, por se duhet të analizohet mënyra e realizimit.
“Ky e ka rolin e vet, ky e ka orientimin e nxënësit për shkollimin e mëtejmë. Nëse administrohet si duhet dhe nëse analizohen rezultatet e tij si duhet, ky është jashtëzakonisht i dobishëm. Prandaj, në vend se të anulohet, unë mendoj se duhet të mendohet mënyra e duhur e zbatimit dhe mandej zbatimi i tij i rregullt”, tha Rexhaj
Qëllimi i Testit të Arritshmërisë është që të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve dhe njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta ky rezultati do t’ u shërbejë për regjistrim në shkollat e mesme të larta.
© SYRI.net