Një 25-vjeçar nga Rubiku i Mirditës është kthyer në një nga figurat më të spikatura dhe më të shpërndara në rrjetet sociale gjatë protestave të fundit qytetare. Daniel Çoku, i lindur me tetraplegji dhe i detyruar të lëvizë me karrige me rrota, sfidoi vështirësitë fizike dhe mungesën e aksesueshmërisë për të marrë pjesë për herë të parë në një protestë.
I ftuar këtë mëngjes në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, Çoku tregoi se motivimi i tij kryesor nuk ishte vetëm gjendja personale, por sakrificat dhe lodhja e përditshme e nënës së tij.
Për Danielin, pjesëmarrja në protestë nuk ishte e lehtë. Për shkak të gjendjes së tij, duhej siguruar transporti i përshtatshëm për karrigen me rrota dhe hapësira e nevojshme për lëvizje. Ai falënderoi miqtë që e ndihmuan të ishte i pranishëm në shesh.
I riu nga Rubiku jeton me një sëmundje të lindur që prek shtyllën kurrizore dhe indet nervore. Ai tha se asistenca financiare që përfiton është 30 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa nëna e tij merr 18 mijë lekë pension. Sipas tij, këto të ardhura janë larg nevojave reale të personave me aftësi të kufizuara.
Ai tregoi se ka mundur të ndjekë shkollimin vetëm deri në arsimin e mesëm, për shkak të vështirësive ekonomike dhe mungesës së infrastrukturës së përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara.
Historia e tij mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale, madje edhe përtej Shqipërisë. Danieli tha se e kuptoi se ishte bërë viral kur një mikeshë nga Shtetet e Bashkuara i dërgoi një postim ku fotografia e tij po shpërndahej gjerësisht.
Pavarësisht sfidave, ai vazhdon të ketë plane dhe ëndrra për të ardhmen. I apasionuar pas natyrës dhe fotografisë, Daniel Çoku dëshiron të hapë një studio fotografie për të promovuar Mirditën dhe zonat e tjera të harruara të vendit.
Çoku:
Edhe unë mirë jam, më ka lënë akoma entuziazëm protesta, pjesëmarrja ime atje. Faktikisht, për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në një protestë, sepse në shumë protesta që janë organizuar, nuk më është dukur sikur mund të isha i përfaqësuar edhe po të merrja pjesë. Edhe pjesa që më shtyu të shkruaja atë pankartën aty ishin sytë e mamasë sime të lodhur nga jeta, nga sfidat, nga politikat, nga sistemet që kanë krijuar njerëzit e politikës. Dhe më shtyu të dilja në protestë. Faktikisht, u bëra me disa miq të cilët më morën, më ndihmuan bashkë me atë karrigen time me rrota.
Është e vështirë, sepse duhet të gjetur dhe mjeti që të marrë karrigen time me rrota, edhe hapësirën e duhur.
Unë jam nga Mirdita, Rubiku, qyteti i Rubikut. Unë jam 25 vjeç. Që në lindje unë kam një sëmundje të lindur, që ka të bëjë me shtyllën kurrizore dhe me indet nervore.
Edhe unë do kisha shumë dëshirë të merrja çdo ditë pjesë në atë protestë, sepse është një protestë që sinqerisht është tepër entuziaste. Gjithsecili prej atyre që merr pjesë ka një kauzë, një kauzë e cila është shkakt-pasojë nga pikërisht nga kjo politikë që është sot në pushtet.
Në shifra është pothuajse minimale. Tani, nëse nuk na bie ndonjë problem për të shkuar në spital ose në ndonjë institucion tjetër, mund ta shtyjmë një 20 ditësh. Së bashku me mamanë, duke i marrë mamasë ose mamaja mua, se duke u bërë bashkë.
Asistenca ime është 30 mijë lekë. Të reja
Duke përfshirë paketën higjenike edhe pjesën e pensionit. Mamaja ka 18 mijë lekë pension.
Po e marr dhe atë, i cili personi është gjatë gjithë kohës në shtëpi dhe duhet të jetë nën kujdesin tim për problematikat që kam të vazhdueshme.
Faktikisht jo, nga bashkia ka shumë pak buxhet dhe nuk është se mund të bëjë diçka që të na aktivizojnë edhe mua edhe personat me aftësi të kufizuar, që janë shumë. Por është një qendër kulturore në Rubik që, motër Adelina që ka dalë edhe tek protesta, ka mbajtur një fjalim të jashtëzakonshëm dhe të bukur. Ajo është kujdesur që të krijojë disa kushte dhe disa aktivitete të ndryshme që edhe ne të flasim dhe të jemi disi të përfaqësuar në qytetin tonë këtu në Mirditë, në Rubik.
Më kanë shkruar pafund miq. Faktikisht, postimin unë e pashë kur e kishte postuar një mikja ime nga Amerika, e cila dhe ajo ka dalë në protestë atje ku është zhvilluar, në New York më duket. Edhe e kishte postuar në storyn e saj ku më kishte bërë tag mua dhe unë rastësisht e pashë që isha bërë viral. Isha shpërndarë.
Po, faktikisht ishin tre, tre me karrocë që ranë në sy, po nga videot kam parë që kanë qenë shumë më shumë. Një prej tyre isha dhe unë ngjitur me të që ishte me motor dhe ishte me të vërtetë me shumë problematika. Shiko, përveç pagës që ne marrim si persona, nuk është e mjaftueshme sepse ne përveçse kemi nevojë për mbështetje financiare, po kemi nevojë edhe për mbështetje morale, mbështetje psikologjike, mbështetje shpirtërore. Dhe shteti nuk i ka krijuar këto mundësi. Nuk i ka krijuar mundësitë që personat me aftësi të kufizuara të kenë një aksesibilitet në çdo lloj institucioni, si në arsim të mesëm, si në arsim të lartë. Pastaj duke i krijuar këto lehtësira në arsim të lartë mund të vijë dhe punësimi më i lehtë. Por gjë që nuk ka ndodhur dhe projektligjet ekzistojnë, por zbatimi jo. Është zero.
Unë deri në arsim të mesëm. Sepse nuk i kam pasur as kushtet financiare dhe as kushtet e aksesueshmërisë, infrastrukturës fare, as transportit publik. Sepse nëse do të ndodhte që të kishte këto lehtësira, unë pa dyshim që nuk do dilja fare në atë protestë dhe në asnjë lloj proteste. Nëse personat me aftësi të kufizuara, pensionistët, njerëzit që u është marrë prona do të ishin... do të ishte në rregull me të gjithë.
Po, unë kam dëshirë, dëshirat janë të mëdhaja po realizimet...
Dëshira ime është... mua më pëlqen shumë natyra dhe kafshët. Nuk jam ambientalist, por e adhuroj dhe dua të mbroj natyrën. E ishte edhe kjo një ndër nxitjet e mia që të dal në protestë sepse ka shumë... do duheshin 1 milion pankarta ndoshta për të përmbledhur gjithë ato urrejtjet e mia që kam ndaj gjësë. Ëndrra ime është të kem një studio fotografie, që të nxjerr edhe të promovoj Mirditën time, po jo vetëm Mirditën time, gjithë zonat që janë të harruara. Mirdita ka perla, është perlë e jashtëzakonshme, ka burime natyrore, ka resurse të ndryshme, së fundmi ka filluar dhe turizmi... ka shumë.
Po, e pashë dhe atë komentin për celularin, pashë atë komentin tjetër po pse nuk punon... E, këto janë gjëra, janë të gjitha sepse unë dua të punoj dhe unë dua të kem një biznes timin ose dua të kem një arsim të lartë edhe pastaj të punësohem. Po nëse nuk janë të gjithë këto fusha, atëherë ti ke pafund njerëz me aftësi të kufizuara nëpër zona të thella që ndoshta nuk kanë fare një telefon, jo si unë se edhe mua ma kanë bërë dhuratë. Ma kanë bërë dhuratë dhe motorin, ma kanë bërë dhuratë dhe karrigen me rrota. Gjë e cila është minimale nga shteti që duhet të sigurohet. Sa njerëz të tjerë të tillë, pa fund, që nuk kanë një telefon, që të paktën janë të dergjur aty në shtrat dhe të paktën të kalojnë një kohë, të kenë një kontakt me botën jashtë.
© SYRI.net