Arrestohet një person për dyshime për mashtrim dhe keqpërdorim në një tender të Policisë së Kosovës

Arrestohet një person për dyshime për mashtrim dhe keqpërdorim në një tender të Policisë së Kosovës

19:42, 04/06/2026

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në koordinim me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, është arrestuar një person i dyshuar për keqpërdorim dhe mashtrim në një aktivitet prokurimi për furnizime me pajisje në Policinë e Kosovës.

Sipas Prokurorisë, arrestimi është rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra lidhur me dyshimet për parregullsi në procesin e prokurimit publik.

“Pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorimin dhe mashtrimin në një aktivitet prokurimi për furnizime me pajisje në Policinë e Kosovës, sot është arrestuar një person”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

I dyshuari me inicialet N.R. po hetohet për veprat penale “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik”, sipas nenit 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 i KPRK-së.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i arrestuar është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, duke shtuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco