MPB reagon ndaj Daut Haradinajt: Pretendimet për dhënien e shtetësisë dy serbëve janë të pasakta

MPB reagon ndaj Daut Haradinajt: Pretendimet për dhënien e shtetësisë dy serbëve janë të pasakta

14:09, 04/06/2026

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar ndaj deklaratave të ish-deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, të bëra në emisionin “Debat Plus”, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe dezinformuese.

Sipas MPB-së, pretendimet se dy persona nga komuniteti serb kanë marrë shtetësinë e Republikës së Kosovës përmes Ligjit të ri për Shtetësinë nuk qëndrojnë. Ministria ka sqaruar se të dy personat janë regjistruar në sistemin e gjendjes civile shumë vite më parë, përkatësisht në vitet 2001 dhe 2007.

Në reagim thuhet se Milovan Bojović është regjistruar për herë të parë në vitin 2007 dhe ka qenë posedues i dokumenteve të UNMIK-ut, ndërsa letërnjoftimin e Republikës së Kosovës e ka marrë në vitin 2011. MPB-ja thekson se ai nuk ka realizuar asnjë shërbim në sistemin e Gjendjes Civile që nga ajo kohë.

Po ashtu, ministria ka bërë të ditur se Bojović ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në prill të vitit 2016, por pas një vendimi të Gjykatës së Apelit për ndërprerjen e paraburgimit, ai ishte liruar dhe më pas ishte larguar nga territori i Kosovës nga Policia e Kosovës.

Sa i përket Suzana Rankovićit, MPB-ja ka mohuar pretendimet se ajo është vajza apo mbesa e Aleksandër Rankovićit. Sipas ministrisë, ajo është qytetare e Republikës së Kosovës, e pajisur me letërnjoftim të UNMIK-ut që nga viti 2001, të cilin e ka konvertuar në dokument të Republikës së Kosovës në vitin 2015.

Në fund, MPB-ja u ka bërë thirrje akterëve politikë dhe publikë që të verifikojnë faktet para deklarimeve publike, duke shmangur përhapjen e informatave të pasakta që, sipas saj, mund të dezinformojnë opinionin publik dhe të dëmtojnë besimin në institucionet shtetërore.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco