LDK: Nëse nuk zgjedhim SHBA-të, zgjedhim armiqtë tanë

LDK: Nëse nuk zgjedhim SHBA-të, zgjedhim armiqtë tanë

17:14, 04/06/2026

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas qëndrimit të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me projektet energjetike në rajon, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët, kandidatja për presidente dhe kandidati për kryeministër i LDK-së theksojnë se çështja e gazit amerikan nuk është vetëm ekonomike, por pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-të po ndërtojnë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor.

Sipas tyre, Kosova gjatë viteve të fundit është larguar nga ky projekt strategjik, ndërsa ka shpenzuar mbi 1 miliard euro për import të energjisë elektrike. Ata vlerësojnë se vendi rrezikon të mbetet jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike e të sigurisë në rajon.

“Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë”, thuhet në deklaratë, ku paralajmërohet se alternativa ndaj projekteve energjetike amerikane është rritja e varësisë nga ndikime të tjera gjeopolitike, përfshirë ato ruse.

LDK ka bërë të ditur se, nëse merr drejtimin e institucioneve, që në fillim të mandatit do të angazhohet për sjelljen e gazit amerikan në Kosovë, integrimin në projektet rajonale të gazit, diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e sigurisë kombëtare.

“Energjia nuk është vetëm ekonomi. Energjia është siguri. Energjia është sovranitet. Energjia është aleancë”, thuhet në fund të deklaratës.

Reagimi i plotë:

DEKLARATË E PËRBASHKËT E KANDIDATES PËR PRESIDENTE DHE KANDIDATIT PËR KRYEMINISTËR TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS
 
Qëndrimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.

Çështja e gazit amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike. Nuk ka të bëjë vetëm me çmime më të ulëta, siguri energjetike, vende të reja pune apo zhvillim industrial. Ajo është pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-të po ndërtojnë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare.

Fatkeqësisht, gjatë viteve të fundit, Kosova është larguar nga ky projekt strategjik, ndërsa ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro për import të energjisë elektrike. Në vend të diversifikimit, kemi parë stagnim. Në vend të partneritetit strategjik me SHBA-të, kemi parë humbje kohe dhe arsyetime joracionale.

Sot përballemi me një realitet shqetësues: Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike e të sigurisë që po ndërtohet në rajon.

Ky vetëpërjashtim nuk është vetëm humbje ekonomike. Është humbje strategjike. Përveç më pak investime, më pak zhvillim, e më pak vende pune, kjo nënkupton edhe më shumë cenueshmëri për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë. Alternativa kryesore ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane mbetet rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera malinje gjeopolitike, përfshirë ato ruse. Prandaj, rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reflektohet edhe në politikën tonë energjetike.

Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare. Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë. 

Sepse energjia nuk është vetëm ekonomi.
Energjia është siguri.
Energjia është sovranitet.
Energjia është aleancë.
Dhe Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj aleance, jo jashtë saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco