Berisha: Ne jemi të vendosur për protestë paqësore! Përndryshe ajo masë njerëzish nuk përballohet nga asnjë polici

Berisha: Ne jemi të vendosur për protestë paqësore! Përndryshe ajo masë njerëzish nuk përballohet nga asnjë polici

13:05, 11/05/2026

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një konferencë për shtyp se opozita do të vijojë protestat paqësore, duke theksuar se kjo mbetet rruga e vetme e përcaktuar nga PD.

Berisha pranoi se organizimi i protestave mund të përmirësohet më tej, si nga deputetët ashtu edhe nga strukturat organizative, por nënvizoi se pjesëmarrja ka qenë e gjerë. Ai theksoi se nëse protestat do të ndryshonin natyrë, “ajo masë njerëzish nuk mund të përballohet nga asnjë polici”, por shtoi se PD mbetet e vendosur vetëm për protesta paqësore.

Sipas tij, gjatë protestës nuk pati asnjë efektiv policie të lënduar, ndërsa pretendoi se pati protestues dhe deputetë të dëmtuar. Berisha akuzoi drejtues të policisë dhe kryeministrin Edi Rama për tensionet gjatë tubimit, duke theksuar se opozita do të vazhdojë aksionin politik në mënyrë paqësore.

FJALA E BERISHËS:

Daniela Maloku, REPORT TV: Më lindi pyetja teksa ju po prezantonit në fakt imazhe dhe lajme nga media ndërkombëtare. Unë vetë personalisht nuk kam pasur nevojë t’i shoh nga mediat ndërkombëtare sepse ndjek çdo protestë tuajën dhe jam aty në vetë të parë, e përjetoj protestën, shifrat, etj.

Edhe pse në mendimin tim personal kjo protestë kishte shifra shumë të ulëta pjesëmarrësish, por ky është vetëm vendimi im personal, a mendoni se demokratët duhet të bëjnë më shumë për sa i takon frymëzimit që duhet të sjellin tek shqiptarët këto protesta? Fjala bie, në të gjitha protestat që kam ndjekur të PD, nuk shoh deputetët që të jenë me familjarët e tyre në protesta, që të jenë me fëmijët për dore mbase. Pra a duhet të punojë pak më tepër edhe në këtë këndvështrim PD?

Sali Berisha: Së pari, unë vlerësoj që ju keni qenë në protestë dhe keni ndjekur protestën. Absolutisht e vlerësoj plotësisht.
Së dyti, të siguroj që deputetët në tërësi, nuk mund të them secili, në parim secili, por në tërësi kanë qenë të gjithë në protestë. Por çështja se ku duhet të qëndrojnë është një çështje e diskutueshme.

Për disa ata duhet të qëndrojnë në krye të protestës, për të tjerë kërkojnë që të qëndrojnë me grupet e qytetarëve nga zonat e tyre. Dhe kjo akoma nuk ka marrë një përgjigje.

Të them unë, aty ku isha unë, nja tre metra më tutje ishte një deputet. Një bashkëqytetar i tij më shkruante ‘unë nuk e pashë kund atë njeri’, po ai ishte aty në fakt. Unë i thashë që ai ka qenë.
Por a duhet të organizohen më mirë? Plotësisht dakord.

Jo vetëm me deputetët, por në tërësi PD ose organizatorët e protestës duhet të bëjnë punë më të studiuar e asaj mase të madhe njerëzish që janë aty.
Tani, kjo është protestë paqësore.

Në qoftë se ne, ndryshojmë këtë protestë nga paqësore në një formë tjetër, të garantoj se ajo masë njerëzish nuk mund të përballohet nga asnjë polici. Është e faktuar ajo.

Në qoftë se ne do t’u bënim thirrje atyre, që në protesta të vini me çdo mjet, nuk ka polici që përballon dot një protestë qoftë dhe 4-5 mijë qytetarësh. Jo, është e njohur kjo.

Por ne kemi qenë, jemi dhe do jemi për protestë paqësore.
Shiko, e teta ishte kjo, asnjë polic të dëmtuar, asnjë polic të plagosur.
Ka një numër të konsiderueshëm protestuesish të dëmtuar dhe deputetësh të goditur dhe dëmtuar.

Por ky është përcaktimi ynë.
Ne besojmë në këtë platformë.
Edhe njëherë, ata sillen si kafshë aty.
Se ç’po bënin ata? Ju keni qenë aty.

Ne po marshonim dhe ky kriminel në krye të policisë, i vendosur nga Balluku, kujton se do mbrojë Ballukun, e pa se çfarë i bën bota Ballukut, kujton se mbron Ballukun, ky bllokon rrugën, ky është një kriminel, me urdhër të Edi Ramës.
Pra, paraqita këto se të vërtetat askush nuk mund t’i fshehë më.
Nuk mund të fshihen.

Ne do vazhdojmë dhe jemi në rrugën e duhur.
U siguroj që Edi Rama është i plagosur politikisht për vdekjen. Nuk e merr më veten.
Natyrisht ne do vazhdojmë me protestë paqësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco