Unë jam Jorida Tabaku, deputete e Kuvendit të Shqipërisë.
Nuk është e lehtë të lexosh lajmin që dy fëmijë humbin jetën. Aq më tepër kur je vetë nënë.
Mirëpo lajmi s'kishte mbaruar akoma… dhe kishte filluar spektakli.
Dhe nuk po flas për aksidentin, po flas për atë që erdhi pas tij. Për pamjet e transmetuara pa filtër, pa përgjegjësi, pa asnjë moment hezitimi. Si të ishte diçka normale. Si të ishte diçka e rëndomtë.
Ne duhej të ishim duke folur sot pse fëmijët tanë luajnë buzë rruge e jo në parqe; pse njerëz të papërgjegjshëm lejohen të qarkullojnë lirshëm në qytetet tona.
Por jo, sepse mediat tona u përqendruan tek spektakli. Kush e transmeton i pari, "ekskluzive", vdekjen.
Unë jam deputete. Çdo ditë shkoj në punë dhe një nga detyrat e mia është të mbroj lirinë e medias. E mbroj me bindje. Jo për të bërë punën, por me bindje, sepse e di çfarë do të thotë një media e lirë në një vend që e ka njohur censurën.
Ne shqiptarët i dimë kostot e censurës. E dimë sa e shtrenjtë është liria.
Por sot dua t'ju them diçka që nuk e them shpesh.
Unë luftoj që ta mbaj shtetin larg kontrollit të medias, por kjo kërkon diçka nga ju. Kontrolli duhet të vijë nga vetë mediat. Nga zgjedhja juaj nëse dhimbja e dikujt tjetër është lajm me interes publik… apo është mall për t'u shitur.
Unë mbroj lirinë tuaj që të informoni pa censurë. Por ju duhet ta vlerësoni e të tregoheni profesionalë me atë liri. Çdo ditë. Me çdo pamje që zgjidhni të mos e transmetoni.
Sepse liria pa etikë nuk është liri, është vetëm pushtet pa përgjegjësi.
Dhe është kjo, miqtë e mi, që e dëmton besimin te media më keq se çdo ligj.
E di që ka njerëz, edhe në media, që mendojnë: "Publiku do ta shikojë." "Do bëhet virale."
Por ka gjëra që nuk maten me klikime: Familjet e atyre dy fëmijëve.Ata nuk zgjodhën të bëheshin lajm. Nuk zgjodhën që dhimbja e tyre të bëhej material transmetimi.
Raportimi i aksidentit dhe investigimi i shkaqeve është informim.
Dhimbja, është spektakël.
Dhe është pikërisht ky kufiri që nuk duhet kaluar: Dinjiteti njerëzor.
Dhe kur ky kufi shkelet, jo nga keqdashja, por nga shpejtësia, nga kopjimi, nga indiferenca… atëherë jo ligji, por ju vetë i bëni dëm lirisë që unë çdo ditë mundohem ta mbroj.
Prandaj dua t’ju kërkoj…
Jo si politikane. Si grua. Si dikush që i ka parë ato pamje dhe nuk mund t'i fshijë dot nga sytë.
Bëjeni punën tuaj,por bëjeni me dinjitet.
Sepse mbas çdo titulli e pamjesh “eksluzive” është një jetë njeriu. Dhe mbas çdo jete, është një familje që nuk do ta harrojë kurrë se si e trajtuat.
© SYRI.net