Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka dalë me një reagim pas raportimeve për lënien në tokë të Deklaratës së Pavarësisë në këtë Ministri.
Basha në reagimin e tij thotë se janë në proces të bartjes e sistemimit në objekt të ri të Ministrisë dhe se aktualisht po funksionojnë me kushte të përkohshme.
Ai tutje thotë se po pret derisa zyrtarët e logjistikës ta varin në mur.
Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Adelina Grainca, publikoi një fotografi me Bashëm e ku në sfond shihej Deklarata e Pavarësisë e lënë në tokë pas kauçit.
Postimi i tij i plotë:
R E A G I M
Sa i përket lajmit për vendndodhjen e Deklaratës së Pavarësisë, dua ta sqaroj për opinionin publik se aktualisht jemi në proces të bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës në objektin e ri të Ministrisë.
Me procesin e bartjes dhe organizimit të inventarit nuk mirret Ministri, por janë zyrtarët e Logjistikës, sepse këto janë çështje teknike dhe operative të organizimit.
Deri tani, ky ambient funksionon në kushte të përkohshme, me orenditë e bartura nga objekti i vjetër dhe me organizim të improvizuar.
Pjesë e inventarit dhe e materialeve të bartura është edhe Deklarata e Pavarësisë, e cila “nuk është hudh”, siç është raportuar padrejtësisht dhe me tendencë në shumë portale, por është sjell në zyrë nga objekti i vjetër dhe po pret derisa zyrtarët e logjistikës ta varin në mur.
Ftojmë opinionin publik të mos bjerë pre e interpretimeve tendencioze dhe theksojmë se ministria vazhdon t’u shërbejë qytetarëve me nder, përkushtim dhe përgjegjësi të plotë ndaj interesit publik dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
© SYRI.net