Zgjedhjet në PD: mes lidershipit dhe përgjegjësisë politike

Zgjedhjet në PD: mes lidershipit dhe përgjegjësisë politike

22:54, 07/05/2026

Nga Rush Dragu/

Procesi i zgjedhjes së kryetarit në Partinë Demokratike ka qenë gjithmonë më shumë se një procedurë formale; ai ka përfaqësuar drejtimin politik dhe identitetin e kësaj force. Në këtë prizëm, roli i Sali Berishes mbetet qendror dhe i pakalueshëm në historinë dhe realitetin aktual të saj.

Rikthimi i tij në krye nuk mund të reduktohet thjesht në një zhvillim të zakonshëm politik. Ai është, në thelb, një tregues i qartë i peshës që ai vijon të ketë në bazën e partisë. Mbështetja që gëzon nuk është një perceptim i ndërtuar artificialisht, por një realitet që reflektohet në strukturat dhe elektoratin e saj.

Megjithatë, përballë këtij realiteti, një pjesë e aktorëve politikë brenda dhe rreth PD-së kanë zgjedhur një qasje të vazhdueshme kundërshtuese, shpesh të fokusuar më shumë te figura sesa te alternativa. Emra si Lulzim Basha apo Ervin Salianji përfaqësojnë një linjë kritike, e cila në vend që të prodhojë një ofertë të re politike, ka mbetur kryesisht në funksion të përballjes së brendshme.

Edhe momentet kur Sali Berisha u përball me izolim politik dhe me pasojat e shpalljes “non grata” nga partnerë ndërkombëtarë, nuk arritën të dobësojnë thelbin e mbështetjes ndaj tij. Përkundrazi, në një pjesë të elektoratit demokrat, kjo u perceptua si një përpjekje për ta përjashtuar politikisht, duke prodhuar efektin e kundërt: konsolidimin e mbështetjes.

Sot, ndërsa vendi i afrohet përballjeve të reja politike, sfida reale për Partinë Demokratike nuk është më vetëm çështje individësh, por e kapacitetit për t’u shndërruar në një alternativë të besueshme qeverisëse përballë mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama. Në këtë kuptim, përqendrimi i vazhdueshëm në konfliktet e brendshme jo vetëm që e dobëson këtë mision, por rrezikon të krijojë një hendek edhe më të madh me pritshmëritë e elektoratit.

Një opozitë që shpenzon energjitë kryesisht në debate të brendshme, në vend që të artikulojë alternativa dhe të adresojë problemet reale të vendit, rrezikon të humbasë rolin e saj themelor. Prandaj, nevoja për një riorientim të qartë strategjik nuk është më çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri politike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco