Durim Berisha akuza të rënda ndaj policisë pas arrestimit: “Më thanë ‘du me ta dhanë një mësim’”

Durim Berisha akuza të rënda ndaj policisë pas arrestimit: “Më thanë ‘du me ta dhanë një mësim’”

16:21, 04/05/2026

Aktivisti Durim Berisha ka reaguar publikisht pas arrestimit dhe mbajtjes së tij për 48 orë, duke akuzuar një zyrtare policore për keqpërdorim të detyrës dhe shkelje të të drejtave themelore.

Në një shkrim të gjatë, ai njofton se i është drejtuar Inspektoratit Policor të Kosovës me ankesë ndaj zyrtares Valdete Gubetini. Sipas tij, për më shumë se pesë orë nuk i është dhënë asnjë sqarim për arsyen e arrestimit, veprën për të cilën dyshohej apo kush kishte bërë kallëzim ndaj tij.

Berisha thotë se vetëm dy ditë më vonë, kur është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka kuptuar për pretendimet ndaj tij, të cilat sipas tij nuk lidhen me vepra penale.

Ai pretendon se gjatë qëndrimit në polici është përballur me presion verbal dhe komente denigruese. Sipas rrëfimit të tij, zyrtarja policore e ka kritikuar për shkrimet e tij, veçanërisht ato që lidhen me Bashkësinë Islame të Kosovës, duke i thënë se duhet të “ndryshojë qasje” dhe se do të “marrë një mësim”.

Berisha po ashtu thotë se shqetësimet e tij për gjendjen shëndetësore personale dhe të bashkëshortes janë shpërfillur, duke u cilësuar si “viktimizim”.

Ai e lidh arrestimin e tij me denoncimet që ka bërë për raste të pretenduara të ngacmimeve seksuale nga një imam në Prishtinë dhe në Medresenë e Prishtinës. Sipas tij, këto denoncime kanë nxitur reagime dhe presion ndaj tij.

Në fund të reagimit, Berisha shprehet i vendosur që të vazhdojë publikimin e këtyre çështjeve, duke theksuar se nuk do të ndalet pavarësisht presioneve.


Postimi i Durim Berishës:

Sapo i dërgova Inspektoratit Policor të Kosovës ankesën kundër zyrtares policore, znj. Valdete Gubetini, e cila, më datë 01.05.2026, duke keqpërdorur autoritetin publik, përmes veprimeve të paligjshme dhe arbitrare, ka shkelur liritë dhe të drejtat e mia themelore.

Për mbi pesë orë ajo ka refuzuar të më njoftojë pse jam arrestuar, kush është ankuar ndaj meje, për çfarë vepre penale dyshohem dhe cilat veprime të mia konsiderohen inkriminuese. Edhe pse për mbi 10 herë i kam kërkuar këto informacione, emrat e atyre që janë lajmëruar në polici dhe pretendimet e tyre — të cilat nuk kanë lidhje me vepra penale — i kam kuptuar vetëm më datën 03.05.2026, kur jam sjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ajo, në vazhdimësi, më ka “qortuar” dhe ka synuar të më “disiplinojë”, duke përsëritur vazhdimisht shprehjet:
“qita statusa t’kanë pru ku je”
“qysh shkruan kështu për BIK”
“kush është Mullah Seksi?”
“çikjo gojë t’ka pru ku je”
“duhesh me ndryshu qasje”
“duhesh me e marrë një mësim ti”
“duhesh me shku nja dy ditë atje, pastaj e merr një mësim ti”

Kur e kam njoftuar për gjendjen time shëndetësore dhe të bashkëshortes sime, e cila ka nevojë për përkujdesjen time, më është drejtuar me fjalët: “mos u viktimizo, shumë po viktimizohesh”. Pra, një informacion të domosdoshëm për shëndetin tim dhe të bashkëshortes sime e ka cilësuar si viktimizim.

Sa  herë i kam përsëritur fjalë "deri ne frymen e fundit nuk do te ndalem", ajo më ka thënë: “ndrysho qasjen, o djalë”. Përderisa, përfundimisht, më ka thënë: “du me ta dhanë një mësim” dhe “këta dy hetuesit, kah të dërgojnë në mbajtje, kanë me të thanë që këtë e ki prej meje”.

Ajo ka vazhduar tutje duke më thënë se: “tash shkon nja dy ditë atje, edhe qetësohesh pak, edhe kur del shpresoj që e ke marrë mësimin”. Ajo, në vazhdimësi, shprehej e irrituar nga vendosmëria ime që të mos heq dorë nga angazhimi im për zbulimin e dukurive negative.

Shpresoj që rasti im të jetë i fundit kur dikush dërgohet në mbajtje në mënyrë arbitrare dhe kur pozita keqpërdoret me qëllim të frikësimit të aktivistëve kundër veprimtarive kriminale.

Jo vetëm 48 orë, por as burgu i përjetshëm nuk më ndal që të shkruaj dhe të flas për viktimat e abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale në xhamitë e Kosovës apo në Medresenë e Prishtinës — raste për të cilat ka qenë i njoftuar nga familjarët e viktimave edhe Naim Ternava.

Durim Berisha do të heshtë vetëm ditën kur i Përjetshmi e merr pranë vetes.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco