Digjet Kurani në Gjakovë, reagon Tërnava: Akt vandal i kryer me porosi

Digjet Kurani në Gjakovë, reagon Tërnava: Akt vandal i kryer me porosi

21:49, 27/01/2026

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një libër fetar është gjetur i dëmtuar sot në Çabrat të Gjakovës.

Vlera Krasniqi, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, ka thënë se nuk dihet kush e ka kryer veprimin e me çfarë qëllimi.

“Sot, në zonën e Çabratit në Gjakovë, është gjetur një libër fetar i dëmtuar. Aktualisht nuk dihet se kush e ka kryer këtë veprim dhe as cili ka qenë qëllimi. Lidhur me ngjarjen është njoftuar prokurori i prokurorisë speciale, përderisa jemi duke ndërmarr veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, ka deklaruar ajo.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dalë me reagim ku ka bërë me dije se libri i djegur është një Kuran, libri shenjtë të myslimanëve, teksa e ka cilësuar këtë akt si vandal, kriminal dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vlerave humane, harmonisë ndërfetare dhe identitetit të popullit shqiptar.

Në një deklaratë të martën, myftiu Tërnava ka thënë se ky veprim është kryer “me porosi dhe mision të qartë kriminal” nga persona ende të panjohur.

Sipas Tërnavës, një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm, pasi cenon rëndë vlerat universale të qytetërimit botëror dhe godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit shqiptar.

“Djegien dhe përdhosjen e Kuranit në Gjakovë e shohim si një akt konkret dhe alarmues, si pasojë direkte e këtyre ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat synojnë realizimin e projekteve dashakeqe sipas modeleve të huaja që historikisht kanë qenë armiqësore ndaj shqiptarëve të besimit islam. Me këtë rast, kërkojmë nga organet kompetente shtetërore që të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme ligjore ndaj autorëve të këtij akti kriminal, por edhe ndaj ideatorëve, mentorëve dhe ideologëve të kësaj ideologjie të rrezikshme, të cilët veprojnë duke u fshehur pas parullave të rreme të “fjalës së lirë”, “të drejtës së besimit” dhe një shqiptarie të deformuar sipas interesave të tyre”, thuhet në reagim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco