Viti 2025, ka qenë një prej më të suksesshmëve për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Përgjatë vitit të kaluar, ky aeroport priti e përcolli mbi gjysmëmilioni pasagjerë brenda një muaji, duke shënuar kështu rekord historik.
Pothuajse secilin muaj përgjatë vitit të kaluar, Aeroporti i Prishtinës ka shënuar rritje të numrit të udhëtarëve krahasuar me vitin paraprak.
Ky trend e ka përcjellë aeroportin edhe në fundvit, teksa të dhënat për të gjithë vitin ende s’janë bërë publike.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit nëntor përmes Aeroportit të Prishtinës kanë udhëtuar 336,964 pasagjerë, që paraqet një rritje prej 8.09 për qind krahasuar me nëntorin e vitit paraprak. Ky rezultat vjen pas një performance po ashtu pozitive në muajin tetor.
Muaji tetor 2025 u mbyll me gjithsej 386,957 pasagjerë, duke shënuar një rritje prej 8.75 për qind krahasuar me tetorin e vitit 2025. Gjatë këtij muaji janë realizuar 2,747 fluturime.
Numrin më të madh të udhëtarëve, ANP e regjistroi gjatë gushtit, duke shënuar rekord historik me mbi 500 udhëtarë në muaj.
Përveç rritjes së trafikut ajror, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka vazhduar investimet në përmirësimin e shërbimeve për pasagjerët. Tash e një vit janë funksionale pajisjet e vetë-regjistrimit (self check-in), të cilat u mundësojnë udhëtarëve që procesin e regjistrimit për fluturim ta përfundojnë brenda pak minutave.
Përmes këtyre pajisjeve, pasagjerët mund të skanojnë dokumentet e udhëtimit, të përzgjedhin opsionet e dëshiruara dhe të printojnë kartën e imbarkimit, pa pasur nevojë të presin në radhë në sportelet tradicionale.
© SYRI.net