Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka sqaruar qytetarët lidhur me informatat dhe paralajmërimet për motin, që siç thonë bëhen nga kanalet zyrtare, pra janë të siguruara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Kjo Drejtori në Komunën e Prishtinës thekson se qëllimi është informimi i saktë dhe i besueshëm i qytetarëve, e jo paniku.
Njoftim për qytetarët e Kryeqytetit
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca dëshiron të sqarojë qytetarët lidhur me informatat dhe paralajmërimet që publikon në mënyrë të rregullt përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
Të gjitha njoftimet dhe paralajmërimet tona bazohen ekskluzivisht në informata zyrtare, të siguruara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe institucione të tjera kompetente. Qëllimi i këtyre komunikimeve nuk është krijimi i panikut, por informimi në kohë, i saktë dhe i besueshëm i qytetarëve.
Përmes këtij komunikimi, Drejtoria synon të vendosë një standard të ri të komunikimit të drejtpërdrejtë dhe transparent me qytetarët e Kryeqytetit, duke vepruar në përputhje me obligimin ligjor që institucionet publike kanë për të garantuar të drejtën e qytetarëve për t’u informuar në kohë reale për rreziqet e mundshme.
Informimi i hershëm dhe korrekt u mundëson qytetarëve të marrin masa parandaluese dhe të jenë më të përgatitur ndaj fatkeqësive natyrore apo fatkeqësive të shkaktuara nga dora e njeriut, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca mbetet e përkushtuar që çdo njoftim të jetë:
• i bazuar në burime zyrtare,
• i qartë dhe i përgjegjshëm,
• në funksion të mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve të Kryeqytetit.
© SYRI.net