Nga: Gurakuç Kuçi
Në vitin 2009, Dick Marty i tha historianit dhe diplomatit serb Milan St. Protić, një fjali që sot e rrëzon gjithë mitin: “Nuk ka prova materiale dhe nuk pres të gjej pas dhjetë vitesh” fakte për trafikimin e qenieve njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Hetimi nisi nga dyshime, jo nga fakte të verifikuara. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në fshatin Tropojë, të Kukësit, në Shqipëri.
Megjithatë, raporti u shkrua nga Marty. Jo mbi prova forenzike. Jo mbi dëshmitarë okularë. Jo mbi trupa, gjurmë apo ndonjë element të verifikueshëm. U ndërtua mbi intervista anonime, inteligjencë të paprovuar dhe indicie të paqëndrueshme. Me pak fjalë një arkitekturë narrative, jo një dosje penale.
Dhe më absurdja është se as vetë Marty nuk i besonte plotësisht raportit të tij. Por raporti, i shtyrë edhe nga Rusia me përfaqësuesin në Këshillin e Evropës Konstantin Kosachev, u katapultua dhe nga “hetim për krime” u kthye në një fushatë politike kundër Kosovës dhe UÇK-së.
Para këtij raporti EULEX kishte bërë hetime dhe po ashtu nuk kishte gjetur asnjë fakt.
E megjithatë, propaganda nuk u ndal. U krijua madje një gjykatë speciale për të hetuar “trafikimin e organeve”. Dhe çfarë ndodhi? Akuza për trafikim organesh u zhduk. Heshtur. Pa shpjegim. De facto pranim se narrativa ishte e ngritur fallco.
Në vitin 2022, Dick Marty pranon publikisht se është nën mbrojtje të armatosur nga policia zvicerane pas një komploti të organizuar nga Serbia, një plan që synonte eliminimin e tij dhe fajësimin e ish-figurave të UÇK-së. Pra, jo vetëm raport i keq. Loja ka qenë shumë më e rrezikshme.
Sot, kur dokumentet, hetimet dhe vetë deklaratat e autorit të raportit janë publike, një konkluzion qëndron i qartë:
Serbia ka përdorur çdo mjet, përfshirë manipulimin e institucioneve ndërkombëtare, për të kriminalizuar shqiptarët dhe për të dëmtuar shtetin e Kosovës.
Por pyetja që mbetet pezull është kjo:
Nëse kapitulli i “Shtëpisë së Verdhë” është shembull i një narrative të fabrikuar… cilin kapitull tjetër e kemi ende përpara nesh dhe nuk e kemi lexuar akoma?
© SYRI.net