Në një eveniment prestigjioz ndërkombëtar të mbajtur në Sofje të Bullgarisë, klinika e mirënjohur “Dent Fix” nga Prishtina, në pronësi dhe menaxhim të Prof. Asoc. Dr. Fehim Haliti, ka shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e sukseseve shqiptare, duke fituar çmimin ndërkombëtar “Best Construction Investment in a Regional Dental Clinic” në kuadër të “Luxury Construction, Architecture and Design Awards 2025” – një nga platformat më të njohura evropiane për arritje në fushën e arkitekturës dhe dizajnit luksoz.
Ky vlerësim e rendit “Dent Fix” ndër klinikat më inovative dhe moderne në rajon, duke e vënë në pah përkushtimin e saj ndaj ekselencës profesionale dhe cilësisë së lartë të shërbimeve. Projekti arkitektonik i klinikës, që ndërthur estetikën bashkëkohore me teknologjinë më të avancuar dentare, është vlerësuar nga juria ndërkombëtare si një model referues për zhvillim të qëndrueshëm dhe standarde të larta në industrinë e shëndetit oral.
Prof. Asoc. Dr. Fehim Haliti, një emër i njohur për profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm në shërbimin ndaj pacientëve, ka shndërruar “Dent Fix” në një qendër referimi për trajtime dentare të standardeve botërore. Çmimi i marrë në Sofje vjen si konfirmim i përmasave ndërkombëtare të punës së tij, si dhe i vizionit për ta vendosur Kosovën në hartën e ekselencës mjekësore evropiane.
“Ky çmim nuk është vetëm për mua dhe ekipin tim, por për të gjithë ata që besojnë se suksesi ndërtohet me punë, përkushtim dhe dashuri për profesionin. Dent Fix është dëshmi se edhe në Kosovë mund të krijohen standarde që garojnë me botën,” – është shprehur Prof. Haliti pas marrjes së çmimit.
Ky sukses është kurorë e punës, profesionalizmit dhe vizionit të një mjeku që ka ngritur një institucion model në shëndetësinë private të Kosovës. Ai dëshmon se cilësia, etika dhe inovacioni nuk njohin kufij, dhe se puna e mirë shqiptare mund të vlerësohet në qendrat më prestigjioze të botës.
Në një kohë kur vendi ka nevojë për shembuj frymëzues, Prof. Fehim Haliti dhe klinika “Dent Fix” po dëshmojnë se ekspertiza dhe përkushtimi shqiptar mund të shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare të inovacionit dhe arkitekturës mjekësore – duke ngritur lart emrin e Kosovës në hartën e suksesit botëror.


© SYRI.net