Ka përfunduar bastisja në banesën e Fatmir Shehollit, i cili sot u arrestua nën dyshimet për spiunazh.
Në pamjet e publikuara shihen hetuesit e Policisë duke u drejtuar për në veturat e tyre me disa dokumente në duar.
Arrestimi është kryer pas hetimeve disa mujore.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se operacioni është kryer me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Sheholli është ndaluar për 48 orë, teksa në vendbanimin e tij po vazhdojnë bastisjet, siç thuhet, me qëllim të sigurimit edhe të provave tjera materiale.
“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale.
Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordnim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë”, thuhet në njoftim.
Për arrestimin e tij njoftoi fillimisht Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla.
© SYRI.net