Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin të publikuar sot lidhur me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, në pikën 156 ka theksuar se përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kuvend, përfshirë edhe në Kryesinë e tij, është detyrim kushtetues.
Sipas Kushtetueses, nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, Kryesia do të mbetet e paplotë dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Zgjedhjen nënkryetarit nga komuniteti serb, Kushtetuesja e ka vlerësuar si parakusht të domosdoshëm për konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës.
“156. Ashtu siç u theksua më lart, përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kuvend përfshirë edhe në Kryesinë e Kuvendit është detyrim kushtetues. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, Kryesia e saj do të ishte e paplotë dhe jokushtetuese. Në këtë kontekst, zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti Serb si anëtar i domosdoshëm i Kryesisë së Kuvendit, është parakusht për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në Aktgjykim.
© SYRI.net