SYRI TV/ Speca djegës me përmbajtje të lartë helmesh, Kroacia bllokon specat që vinin nga Shqipëria

16:05, 01/10/2025

SYRI TV

Një sasi specash djegës, që po eksportohej nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian, është bllokuar nga autoritetet kroate për shkak të nivelit të lartë të pesticideve. Nga analizat e kryera në doganë, është konstatuar se specat përmbanin tre lloje pesticidesh, të rrezikshme për shëndetin, mbi normat e lejuara.

Bllokohet në Kroaci një tjetër ngarkesë me perime që vinte nga Shqipëria dhe kishte destinacion vendet e Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për një ngarkesë me speca djegës, që sipas autoriteteve ushqimore të Bashkimit Europian, përbënin rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve për shkak të nivelit të lartë të pesticideve. Nga analizat e kryera nga autoritetet kroate për specat nga Shqipëria, ka rezultuar nivel mbi normat e lejuara i pesticideve Flonicamidit, Chlorfenapyr dhe Tebufenpyard. 

Ngarkesa e Specave djegës është bërë pas kontrollit në pikën kufitare, duke parandaluar hedhjen e tyre në treg për konsumatorët në vendet e BE. Kjo është ngarkesa e dytë e specave që bllokohet nga një vend i Bashkimit Europian brenda tre javëve për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve. Në datën 5 shtator të këtij viti, në Slloveni u bllokua gjithashtu një ngarkesë me speca për shkak se kishte përmbajtje tëlartë të Formetanates, Acetapiridit dhe Flonicamidit.

Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e kontrollit ushqimor në Bashkimin Europian, përmbajtja e pesticideve në specat që vinin nga Shqipëria, ishte disa herë më e lartë se norma e lejuar në vendet e unionit. Bllokimi i ngarkesave me perime dhe fruta që nisen nga Shqipëria për eksport drejt vendeve të BE, ka ngritur pikëpyetje të mëdha për sigurinë ushqimore të konsumatorëve në vend, të cilët konsumojnë prodhime bujqësore në një kohë që autoritetet shtetërore nuk kryejnë analiza.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco