Konstituimi i Kuvendit, sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese

Konstituimi i Kuvendit, sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese

08:10, 30/09/2025

Sot  skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, publikuar me 5 shtator, ku ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës deri më 30 shtator çdo veprim dhe vendim si dhe ndaloi procedurat për formimin e Qeverisë.

Kjo masë ishte marrë më 5 shtator, pas kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit, përkatësisht votimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.

Ishte Lista Serbe që u ankua në Kushtetuese për veprimin e kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili shpalli Kuvendin si të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.

Megjithatë, ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë pas skadimit të kësaj mase të përkohshme të vendosur nga Kushtetuesja, shkruan Reporteri.net.

Çfarë kishin deklaruar krerët e shtetit pas masës së Kushtetueses?

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha i pyetur më 16 shtator, se si do të veprojë pas 30 shtatorit, kur përfundon masa e Kushtetueses, nuk kishte dhënë një përgjigje.

Basha vetëm kishte thënë se Kuvendi është konstituuar, pa u deklaruar për hapat e mëtejshëm, shkruan Reporteri.net.

“Mendoj që e keni pa atë shpalljen…është konstituuar Kuvendi”, kishte deklaruar shkurt Basha.

Për dallim nga Basha, presidentja Vjosa Osmani më 9 shtator kishte deklaruar se pas 30 shtatorit po qe mundësia, kur dhe skadon afati do të thërras partinë e parë për të proceduar me mandatarin.

“Çështja e masës së përkohshme nuk e paragjykon se cili do të jetë vendimi final i Gjykatës sa i përket meritave të rastit mirëpo masa si e tillë na obligon të gjithëve, Kuvendin që mos të thirr seanca, mua si Presidente mos ta ftojë partinë e parë fituese për mandatarin, se masa thekson se na ndalohet që të ndërmarrim çdo procedurë për caktimin e mandatarit dhe krijimin e qeverisë. Të gjitha këto hapa, konsiderohen procedurë për zgjedhjen e qeverisë dhe një gjë e tillë është ndalur deri më 30 shtator. Menjëherë pas 30 shtatorit shpresoj ta kemi mundësinë, dhe kur të skadojë po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedojë me caktimin e mandatarit dhe punët tjera pastaj janë jashtë këtij institucioni”, kishte deklaruar Osmani.

Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte sulmuar Gjykatën Kushtetuese që kishte ndaluar çdo veprim të deputetëve deri më 30 shtator.

Kurti, më 7 shtator kishte thënë se Gjykata po vepron si një “hije politike” e opozitës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke vënë në dyshim arsyeshmërinë e masës së përkohshme të marrë pas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të Kuvendit.

Sipas Kurtit, vendimi i Gjykatës parashikon që 120 deputetë të republikës të “vegjetojnë” deri më 30 shtator, për një periudhë prej 25 ditësh.

Ai ka theksuar se vetë dilema e tij është nëse masa është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme, duke nënvizuar se, sipas tij, ajo përmban të dyja elementet.

“Në mes të mandatit tonë që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon, të nderuar delegatë të KP të VV’së, e dimë që ndodhet Gjykata Kushtetuese e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VV’së. Meqë tash u zgjodh kryetari i kuvendit dhe 4 nënkryetarë gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së LS paarsyeshëm besoj dhe unë dhe kërkoi që 120 deputetë të republikës, merreni me mend, të vegjetojnë deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot. Kjo është ngjashëm sikur ministri ynë i shëndetësisë Arben Vitia të lëshojë një vendim mjekësor që ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë nëse është më shumë absurd apo më shumë e dëmshme kjo masë 25 ditore. Por që është edhe shumë absurde edhe shumë e dëmshme nuk kam dyshime”, kishte deklaruar Kurti.

Kujtojmë se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e kishte përmbyllur seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari serb, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco