Pazaret milionëshe të Lladrovcit: Audioja që zbulon marrëveshjet për prona e mbindërtime

Pazaret milionëshe të Lladrovcit: Audioja që zbulon marrëveshjet për prona e mbindërtime

08:05, 30/09/2025

“I fiton 15 milionë… 4 mijë metra unë t’i shtoj mbindërtim… 21 milionë po t’jesin qetu…”, kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i është publikuar një audio-incizim, ku flet për ndërtime milionëshe në pronë të komunës.

Në audio-incizimin e publikuar nga Vox Kosova, Lladrovci  flet me Labinot Halilajn, një biznesmen që merret me ndërtim. I njëjti aktualisht është kandidat për asamblenë Komunale në kuadër të Listës “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, e themeluar së fundmi nga Lladrovci.

Audio-incizimi raportohet se është bërë në mes muajve shtator e nëntor të vitit të kaluar.

Bëhet fjalë për ndërtimin e rreth 40 mijë metra katrorë në Komunën e Drenasit. Në bisedë, Lladrovci insiston për ta bindur Halilajn se ka leverdi të madhe në këtë ndërtim.

“4 mijë metra more Lab se 40 ari janë, 60 ari i ki hapësirë të thatë… 4 mijë metra po t’i shtoj plus. 4 mijë, plus 4 mijë herë 300 po i lëmë fitimin”, dëgjohet duke thënë Lladrovci në audioincizim.

“300 euro në metër a? Nuk ka shansa”, ia kthen Halilaj.

“350 po t’i la në ndërtim”, insiston tutje Lladrovci.

“Ja ti 200 euro në mujsh me i fitu në metër je bos, nuk mund fiton më shumë. Me kanë në Prishtinë po, në Skenderaj e Drenas jo”, vazhdon tutje Halilaj.

Lladrovci  në fund shpreh interesimin që edhe vetë ta marrë këtë projekt, i cili thotë se ka përfitim plotë 15 milionë euro.

Lladrovci në dy reagime që i ka bërë në Facebook pas publikimit të audi-incizimit e ka paraqitur si “shantazh” publikimin e tij.

“Fleni të qetë se ende s’ka lind bir nane që më korrupton apo shantazhon për të vepruar kundër qytetarëve të komunës së Drenasit”, ka shkruar Lladrovci në reagim.

Ndërkaq, në një reagim të mëparshëm, ai ka shkruar se ka pasur interesim që ajo pronë të jepet në shfrytëzim për investitorët e mundshëm, pasi sipas tij komuna do të përfitonte mbi 27% apo mbi 10.000 metra katror.

Lladrovci ka thënë se asnjë metër nuk ka qenë as e menduar as e thënë në incizim e as e planifikuar për interesa personale.

“Audioincizimi në Zyrën e Kryetarit, dëshmon qartë se kam pasur interesim të jepet ajo pronë për shfrytëzim për investitorët e mundshëm, ku komuna do të përfitonte mbi 27% apo mbi 10.000 metra katror, asnjë metër nuk ka qenë as e menduar as e thënë në incizim e as e planifikuar për interesa personale.

Interesi im si kryetar ka qenë të bëj ngritjen e vlerës së asaj prone, ta bëj sa më atraktive për investitorët potencial duke e vlerësuar madje edhe duke e mbivlerësuar në interes publik, ku pos mbi 10.000 metrave për komunën, do të bëheshin edhe punësime si dhe tatimet në pronë të mbi 40.000 metrave katror.
Konsideroj se qytetarët e kanë parasysh që qëllimi im ishte të bind Labinotin, Arigonin, Hamitin, Bekimin dhe Ndriçimin se është me leverdi dhënia e pronës në shfrytëzim, kur dihet se këta pesë asamblistët e PDK-së, kanë qenë kundër dhënies në shfrytëzim të pronës te Komuna e Vjetër.

Prona nuk ishte megjithatë atraktive, nuk ka hy në procesin e ofertimit dhe zhvillimin e procedurave tjera, për të cilën Kuvendi i Komunës do të duhej me vota ta miratonte. Prandaj, ballhapur i ftoj panelistët për debat, për të hedhur poshtë shantazhin e lidhur ngushtë me fushatën dhe humbjen e pandalshme të oponentëve të mi politik”, ka shkruar ai

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco