Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se pas monitorimeve të fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit, është vërejtur një ulje e dukshme e vlerave të manganit.
Sipas analizave laboratorike të kryera gjatë tre ditëve të fundit, përqendrimet e manganit kanë variuar nga 0.012 mg/l deri në 0.037 mg/l, duke qenë të gjitha brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu.
Në bazë të këtyre rezultateve, IKShPK ka konfirmuar se uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për konsum.
Instituti gjithashtu ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet relevante, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe transparent të cilësisë së ujit, duke garantuar informim të saktë për qytetarët.
© SYRI.net