Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e Eldion Kelmendit, vëllait të Gjestit, pas një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi sot rreth orës 14:05 në fshatin Treboviq të Pejës.
Në aksident u përfshinë një veturë dhe një motoçikletë. Sipas policisë, dyshohet se drejtuesi i motoçikletës humbi kontrollin në një kthesë dhe kaloi në shiritin e kundërt, ku u përplas me një veturë që po lëvizte në drejtim të kundërt.
Si pasojë e goditjes, Eldion Kelmendi humbi jetën në vendin e ngjarjes. Vdekja e tij u konstatua nga ekipi mjekësor. Një tjetër person ka mbetur i lënduar rëndë dhe është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku po trajtohet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

© SYRI.net