I pyetur në lidhje me iniciativën “Ballkani i Hapur” dhe procesin e dialogut Kosovë–Serbi, Rama u shpreh i zhgënjyer për mungesën e progresit. Ai theksoi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ka dështuar për shkak të një formati të gabuar, por thelbësore, sipas tij, mbetet që Kosova të bëjë përparimin e vet, pavarësisht qëndrimit të Serbisë.
“Kosova nuk duhet të mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet t’ia dijë çfarë bën Serbia. Duhet të bëjë detyrat e veta dhe t’ia dorëzojë Bashkimit Evropian fletoren e plotë të punëve të shtëpisë,” – deklaroi Rama.
Ai theksoi se procesi i integrimit evropian nuk ka të bëjë me pranimin e kërkesave të Serbisë, por me plotësimin e kushteve të vendosura nga BE-ja.
Rama paralajmëroi se nëse Kosova nuk e ndjek këtë qasje, rrezikon të vetëizolohet gjithnjë e më shumë:
“Është në interesin e Kosovës të ecë përpara, pa u kushtëzuar me reagimet e Serbisë. Nëse nuk e bën këtë, do të vazhdojë të izolojë veten, dhe kjo është për të ardhur keq.”
Por, ndryshe nga Rama mendon analisti në Shqipëri, Ilir Vata, i cili konsideron se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket sundimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.
Sipas tij, deklarata e Ramës nuk prek thelbin e çështjes.
Ai kërkon që Rama dhe Kurti të vendosin shina të përbashkëta kombëtare.
“Kosova është në rrugë të mbarë për sa i përket sundimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve, këtë e treguan edhe sondazhet ndërkombëtare. Ajo që thotë Kryeministri i Shqipërisë, Rama, është një zhargon në tërësi, por jo një gjë konkrete. Serbia është ajo që provokon në veri të Kosovës; dy vjet më parë inicioi një masakër, ku banda terroriste sulmuan jetë qytetarësh dhe sigurinë e qytetarëve. Pra, deklarata e Ramës është tangente, nuk prek thelbin e çështjes, garancinë institucionale dhe territoriale të Kosovës. Fakti se Kurti dhe Rama janë më larg se asnjëherë në historinë e dy shteteve shqiptare tregon se njëri nga palët është kundër interesave të shqiptarëve në tërësi, sepse garancia e Kosovës është njëherazi garancia e Shqipërisë. Në këtë kuptim, Kurti dhe Rama lënë për të dëshiruar, njëri i bie thumbit dhe tjetri patkoit. Mendoj se deklarata e Ramës nuk ka asgjë të re për Kosovën dhe duhet të ndryshojë qasje, si Rama dhe Kurti, duke vendosur shina të përbashkëta kombëtare”, deklaron Vata.
© SYRI.net