Sot bëhen dy vjet kur në në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup terrorist, i prirë nga ish-politikani Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës.
Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti e u lëndua një tjetër, në një sulm nga një grup i organizuar në Banjskë të Zveçanit.
Sulmi u dënua nga krerët e shtetit dhe ndërkombëtarët, duke bërë thirrje që autorët të dalin para drejtësisë. Dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, Millan Radoiçiq është ende i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.
Krerët e shtetit sot kanë bërë homazhe tek varri i heroit, Afrim Bunjaku.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos e konsiderojë Serbinë si shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët serbë pas sulmit terrorist në Banjskë.
“Ne tash i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të mos e konsiderojnë Serbinë si shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët serbë të organizuar, të udhëhequr nga Milan Radojiçiç dhe të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti Aleksandër Vuçiq”.
“Aktakuza i përfshin 45 persona, të cilët duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ekzistojnë aktakuza për ta, si dhe fakte dhe argumente të shumta për përfshirjen e tyre në vrasjen e Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor dhe terrorist”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.
© SYRI.net