Lorik Tigani dhe Onur Vizdik, dy pronarë të firmës “Tada Group Sh.P.K”, kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës në një operacion të gjerë me qëllim të goditjes së trafikimit me substanca narkotike dhe krimeve kibernetike.
Tigani dhe Vizdik u arrestuan të martën në një operacion anti-droge të njohur si “Qielli i Thyer”. Përveç tyre, u arrestuan edhe 20 persona të tjerë, në operacionin që u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, shkruan Insajderi.
Veprat penale Tigani, Vizdik dhe 20 të tjerë dyshohet se u kryen përmes “SkyECC”.
“Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 500 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast”, vijon njoftimi.
Por, kush janë Tigani dhe Vizdik?
Tigani dhe Vizdik dyshohet se kanë qenë pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal, i cili ka qenë nën vëzhgim prej kohësh nga njësitë e antidrogës.
Pronarët e firmës “Tada Group” janë emër i njohur për drejtësinë. Ata ishin arrestuar më 2022-ën, meqë ishin kapur me drogë të llojit heroinë prej 83 kilogramës
Droga e kapur kishte destinacion qytetin e Prishtinës.
Lorik Tiganit i gjendej edhe një armë e tipit “Magnum” me pesë fishekë. Teksa Onur Vizdikut policia ia kishte konfiskuar një pistoletë të llojit “Walther”.
Lorik Tigani është edhe dhëndri i dizajneres së famshme nga Peja, Linda Imami. Bashkë me Tiganin, për drogën në Han të Elezit ishte i dyshuar edhe bashkëshorti i dizajneres, Mentor Imami, i cili gjendej në arrati.
Që të dy figurojnë pronarë të firmës “Tada Group SHPK” me bazë në Prishtinë. Lorik Tigani paraqitet si pronar i 10 për qind të aksioneve të firmës, ndërkaq Onur Vizdik 90%.

Aktiviteti i biznesit të tyre është restorantet dhe aktivitetet shërbyese lëvizëse të ushqimit, furnizime me ushqim me porosi me raste, tregtia me shumicë e artikujve ushqimorë, e me pakicë.
© SYRI.net