Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot ngjarjet tragjike të 1 qershorit 1998 në komunën e Deçanit, kur forcat serbe zhvilluan një ofensivë të madhe ushtarake në rajonin e Dukagjinit, duke kryer krime të rënda ndaj popullatës shqiptare.
“Më 1 qershor 1998, në kuadër të një fushate të gjerë ushtarake në Dukagjin, forcat serbe kryen një operacion të egër që përfshiu rrethimin dhe bombardimin e fshatrave si Pobërgjë, Hulaj, Batushë dhe të tjerë përreth,” deklaroi Kurti.
Ai shtoi se, sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare si Human Rights Uatch dhe OSBE, ky aksion u karakterizua nga përdorimi i armëve të rënda ndaj vendbanimeve civile, zhvendosje të dhunshme të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, ekzekutime dhe zhdukje të civilëve të pafajshëm, si dhe shkatërrim i qëllimshëm i pronës.
“Në këtë 27-vjetor, nderojmë 19 civilët e vrarë nga forcat serbe dhe përkujtojmë të gjithë ata që ranë gjatë luftës për liri. Kjo ditë na rikujton dhimbjen, por edhe vendosmërinë e popullit tonë për liri dhe dinjitet,” tha ai.
Në mbyllje të fjalës, Kurti theksoi se sakrifica e popullit të Kosovës mbetet themel i lirisë dhe shtetësisë.
“I paharruar qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Lavdi e përjetshme,” përfundoi ai.
Postimi i plotë:
Më 1 qershor 1998, në kuadër të ofensivës së gjerë ushtarake në zonën e Dukagjinit, forcat serbe ndërmorën një operacion të dhunshëm që përfshiu rrethimin, bombardimin dhe shkatërrimin e fshatrave Pobërgjë, Hulaj, Batushë dhe fshatrave përreth.
Siç dëshmojnë raportet e Human Rights Watch dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ky sulm përfshiu përdorimin e armëve të rënda ndaj zonave civile, dëbimin masiv të popullsisë shqiptare, vrasje dhe zhdukje të civilëve të pafajshëm dhe shkatërrim sistematik të pronës private.
Në përvjetorin e 27-të të sulmit në fshatrat e komunës së Deçanit, përkujtojmë 19 martirët e vrarë nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Në këtë ditë përkujtimore, nderojmë viktimat e këtij krimi, si dhe të gjitha viktimat e tjera të agresionit e gjenocidit shtetëror serb gjatë luftës në Kosovë.
Sakrifica e popullit tonë është themel i lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.
I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit
Lavdi!
© SYRI.net