Partia Demokratike akuzoi kreun e komisionit qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi se është përgjegjës për shkeljen e kontratës nga DHL në lidhje me votat e diasporës. Në një dalje për mediat, zëdhënësja Anti Korrupsion, Genta Vangjeli u shpreh se nënkontraktorët e DHL-s operuan në kundërshtim me ligjin, ndërsa KQZ kishte deklaruar se nuk do të lejonte nënkontraktime për votën e diasporës, të cilat u bën publike nga zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste. Shkelja e kontratës mes DHL dhe KQZ, u kushtoi qytetarëve shqiptarë farsën elektorale të 11 majit me votat e diasporës dhe 11 milionë euro.
Syri TV
Partia Demokratike akuzoi kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi, si përgjegjësi kryesor i dështimit të kontratës 11 milionë euro me DHL për shpërndarjen e votës së disporës. Zëdhënësja Antikorrupsion, Genta Vangjeli, u shpreh se ndonëse ligji nuk e lejonte, DHL bëri marrëveshje me nënkontraktorë për shpërndarjen e zarfeve me fletët e votimit në Greqi, ku si shembull soli postimet e zyrtarëve të lartë socialistë që njoftonin emigrantët të tërhiqnin fletët e votimit në pika postare të paautorizuara nga KQZ.
Sipas Vangjelit, KQZ ka shkelur Kodin Zgjedhor në disa pika, ndërsa kostot e këtij abuzimi janë farsa elektorale me votat e Greqisë dhe dëmi 11 milionë euro ndaj qytetarëve shqiptarë.
Lidhur me këtë denoncim, Syri Televizion ka siguruar të tjera prova që tregojnë se DHL dështoi të përmbushë kontratën për shpërndarjen e votës dorë më dorë, siç ishte parashikuar. Nga këto mesazhe që vijnë nga shtabet elektorale të partisë Socialiste, në një rast tregohet se në Kavalla të Greqisë, votat kanë përfunduar në një librari, ndërsa në ditët në vijim do të gjendeshin në pikat postare. Ky mesazh ngre pikëpyetje të mëdha, sesi kanë përfunduar fletët e votimit te një libri ndërkohë që nuk kanë qenë as në zyrën postare. Ndërsa në një tjetër mesazh, shtabi i Partisë Socialiste kërkon që emigrantët të dërgohen nëpër zyrat postare, pasi DHL ka dështuar të përmbushë detyrimin për të shpërndarë fletët e votimit derë më derë.
© SYRI.net