Në një reagim të drejtpërdrejtë dhe me tone të ashpra ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihili, ka hedhur poshtë çdo pretendim për marrëveshje të fshehtë ndërmjet dy partive, duke akuzuar PDK-në për shpërndarje insinuatash dhe manipulime terreni.
“Sot pati një zhvillim të ri nga opozita. Nuk foli Memli. U desh të fliste Vlora Çitaku. Dihet kur del Vlora,” tha Mihili, duke lënë të kuptohet për një skenar të koordinuar brenda PDK-së për të krijuar iluzione politike.
Ajo shtoi se përmes takimeve të vogla dhe fjalëve “me rrotlla, ala SHIK”, PDK po përpiqet të krijojë idenë e një koalicioni me Vetëvendosjen, gjë që, sipas saj, nuk qëndron aspak.
“PDK është katandisur në konglomerat të kafexhive, në qytete a fshatra, si grupi parlamentar i tyre – ca të Prishtinës me rrethinë, ca të Sami Lushtakut,” theksoi Mihili, duke ironizuar strategjinë e tyre politike si të bazuar në thashetheme kafehanesh.
Sipas saj, PDK-së nuk i ka mbetur asgjë tjetër përveç “zinxhirit të fjalëve që shpërndahen nga kafeneja në kafene”, ndërsa përfundoi me një thumb: “Një ditë edhe shoqatën e gastronomive do ta rrëmbëjnë edhe formalisht”.
© SYRI.net