Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen nr. 11 të qytetit të Durrësit, ku është ekzekutuar me breshëri armësh zjarri 29-vjeçari Ermir Dedja. Sipas informacioneve paraprake, i riu u qëllua sapo kishte zbritur nga makina e tij. Policia po heton në dy pista: ajo e një konflikti të mundshëm për prishje pazaresh droge, si dhe ajo e larjes së hesapeve, pasi viktima ishte një person me precedentë penalë në fushën e narkotikëve. Në vitin 2017, Dedja kishte qenë i përfshirë si ndihmës në një plagosje në Shijak.
Këto janë pamjet e ekzekutimit të të riut Ermir Dedja në Durrës. Në video shihet qartë një makinë e bardhë, tip Cupra Formentor e vitit 2023, nga e cila autorët qëllojnë me breshëri në drejtim të viktimës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:50, në lagjen nr. 18 të qytetit të Durrësit. Dedja, i cili po lëvizte në këmbë i veshur me kostum sportiv, është qëlluar nga persona të maskuar, që shfrytëzuan momentin kur ai po ecte në trotuarin përpara një pallati. Ata e qëlluan me armë automatike nga pas. Ermir Dedja ka tentuar të futej në një qendër shëndetësore për t’u shpëtuar plumbave, por nuk ia ka dalë pasi është kapur nga breshëria, duke gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra.
Një banor i një pallati përballë vendit të ngjarjes ka deklaruar se dëgjoi breshëri armësh dhe fillimisht mendoi se bëhej fjalë për fishekzjarrë. Nga dritarja ka parë një person të shtrirë në tokë dhe pak më vonë kanë mbërritur forcat e policisë dhe autoambulanca që transportoi trupin e Dedjas drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ai ndërroi jetë.
Ermir Dedja nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Ai ka pasur precedentë penalë të mëparshëm. Në vitin 2015, është arrestuar pasi i kishte shitur drogë një grupi personash që synonin ta transportonin atë nga pika kufitare e Morinës drejt Kosovës. Ky rast ishte pjesë e operacionit policor të koduar “Jupa 1”. Në vitin 2017, Dedja është arrestuar sërish pasi kishte përkrahur Ismail Nuredinin në një plagosje të ndodhur në Shijak. Së fundmi, ai dyshohej se ishte i përfshirë në një grup kriminal në Durrës.
Sipas policisë, dyshohet se Dedja ka rënë në pritë në lagjen nr. 18, ndërsa po shkonte për të takuar disa shokë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se vrasja është kryer me pagesë. Autorët kanë ndjekur viktimën dhe kanë qenë në dijeni të itinerarit të tij.
Policia ka sekuestruar disa kamera sigurie në zonën ku ndodhi ngjarja dhe ka ngritur postblloqe në disa pjesë të qytetit. Ndërkohë, në orët e mesditës së të martës, në fshatin Gërdec është gjetur një automjet i djegur, brenda të cilit ndodheshin armë zjarri që dyshohet se janë përdorur nga autorët e ngjarjes.
Viktima, me origjinë nga Shijaku, jetonte i vetëm në një banesë në lagjen nr. 11 të Durrësit.
© SYRI.net