Prishtina e mbuluar nga mbeturinat – përplasja 2.7 milionëshe mes “Pastrimit” dhe Komunës shpërthen publikisht!
Kryeqyteti është futur në kaos sanitar: kontejnerët vluan, mbeturinat janë kudo, era e keqe po përhapet në çdo lagje – ndërsa institucionet e hedhin fajin njëra-tjetrës. “Pastrimi” ndaloi shërbimet, duke thënë se Komuna i ka borxh 2.7 milionë euro, ndërkohë që drejtori komunal Bekim Brestovci e quan këtë shifër të pavërtetë dhe të paligjshme.
Në një përballje të tensionuar sonte, Kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica, deklaroi se kompania është buzë kolapsit: “S’kemi para për naftë, për operim – pesë muaj pa pagesa, mbi 2.7 milionë euro borxh!”
Por Komuna e Prishtinës ngul këmbë: “As 1 euro borxh nuk kemi! Nuk kemi kontratë me ta, s’ka marrëdhënie kontraktuale, ka vetëm kaos procedural!” – u shpreh Brestovci, duke shtuar se çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të dyshimeve për shkelje të konkurrencës dhe ligjit.
Prokuroria ndërhyn! Policia e Kosovës ka marrë urdhër të grumbullojë prova për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” – një hetim që mund të hapë një tjetër front përgjegjësie ligjore.
IKSHPK paralajmëron shpërthim epidemish nëse kriza nuk zgjidhet urgjentisht: “Rrezik real për dizenteri, hepatit A e kolerë!”
Punëtorët e “Pastrimit” protestuan sot në rrugë me pankarta të forta:
“Paguaje borxhin o borxhli i keq!”
“Mos bëj politikë me dështimin tënd!”
Kryeqyteti po mbytet në mbeturina. Lufta për 2.7 milionët është kthyer në betejë institucionale, shëndetësore dhe tashmë edhe ligjore.
Kush ka të drejtë? Dhe sa afër jemi një kolapsi total urban në Prishtinë?
© SYRI.net